E Diel, 1 Nëntor 2026

Largohen romët nga AP, Totozani falenderon shoqatat

8 familjet rome të strehuara në zyrat e Avokatit të Popullit që më datë 1 shkurt të këtij viti janë larguar sot në mesditë duke u marrë nën kujdesin e shoqatës Romani Baxt Albania. Ka qenë ky njoftimi i shpërndarë sot nga zyra e shtypit pranë institucionit të Avokatit të Popullit ndërkohë që 8 familjet janë shpërngulur në rrugën Halit Bega në Kinostudio, pranë ambienteve të shoqatës.

Familjet në fjalë do të qëndrojnë të strehuara në ambientet e shoqatës deri në përfundimin e punimeve nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale e cila ka përcaktuar për ta hapësirën e  një ish-reparti ushtarak.

Avokati i Popullit, Igli Totozani ka falënderuar sot të gjitha shoqatat që ndihmuan gjatë këtyre 12 ditëve përmes ndihmave dhe mbështetjes së vazhdueshme për 40 pjesëtarët e familjeve rome si dhe apeloi që institucionet të kushtojnë vëmendje ndaj problematikës së mprehtë të këtij komuniteti.

Nga ana tjetër, AP garantoi angazhimin maksimal për ngritjen e Task-Forcës së përbashkët me bashkinë e kryeqytetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›