Kosovë, vdekjet nga orteku, të hënën ditë zie
Dita e hënë do të jetë ditë zie në Kosovë, në nder të viktimave të tragjedisë në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.
Operacioni i kërkim shpëtimit përfundoi sot, ndërsa ka mbijetuar vetëm një vajzë e vogël.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shpallur ditën e hënë, ditë zie shtetërore, ndërsa në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri do ulet në gjysmë shtize.
Gjithashtu, të gjitha veprimtaritë artistike, kulturore dhe sportive të planifikuara për këtë ditë, do pezullohen dhe do shtyhen për një datë të mëvonshme.
*****************
Një ortek ka shkaktuar nëntë të vdekur në Kosovë. Orteku ka goditur 15 shtëpi në fshatin Restelicë në komunën e Dragashit. Nga kërkimet e deritanishme një vajzë shtatë vjeç është nxjerr nga shtëpia. Vazhdojnë kërkimet për të gjetur të mbijetuar të tjerë.
Orteku i borës, me thellësi prej 10 metrash dhe gjerësi rreth 500 metra, i cili ka goditur fshatin Restelicë, dje rreth orës 7: 30 të mëngjesit, dyshohet të ketë bllokuar nën borë 11 persona.
Të gjithë viktimat janë nga familja Reka. Nga 11 anëtarë që ishin brenda shtëpive, vetëm vajza 7-vjeçare është nxjerrë e gjallë.
