Largohet Ahmeti, zvogëlohet Pozita

Gjatë ditës, edhe deputeti tjetër i KKR’së, Muhamet Mustafa është larguar nga koalicioni qeveritar dhe ka vendosur të jetë deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës.
Më largimin e Ahmetit dhe Mustafës, Pozita në Kuvendin e Kosovës është minorancë.
Largimi i këtyre dy deputetëve mund të rrezikoj koalicionin qeveritar, pasi partitë në pushtet nuk i kanë më shumicën e votave në Kuvendin e Kosovës.
Ndryshe, deputeti Ahmeti dorëheqjen e ka konfirmuar në një deklaratë të shkruar për media.
“Jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet në PD dhe largohem nga koalicioni i KKR’se. Në Kuvendin e Kosovës do të mbrojë ngjyrat e elektoratit të PD’së dhe programit me të cilin i kemi fituar mandatet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Ahmeti.
Amir Ahmeti kishte hyrë në Kuvend si deputet i Partisë së Drejtësisë, pasi partia e tij dhe shumë parti tjera patën bërë koalicion me Partinë e Behgjet Pacollit.
Ahmeti ishte propozuar për ambasador të Kosovës në vendet arabe, por se emërimi i tij nuk ka ndodhur asnjëherë.
Largime nga Partia dhe Grupi Parlamentar i Partisë së Pacollit ka pasur edhe më herët, kur ishte larguar deputeti tjetër Emin Gërbeshi.
Koalicioni PDK-AKR nuk mund të llogarisë më as në votat e Jakup Krasniqit e Fatmir Limajt të PDK’së, të cilët kanë dal hapur kundër politikave qeveritare dhe kanë përkrahur nismat e Opozitës.
Por, kohëve të fundit, votat e AAK’së dhe shumicës së deputetëve pa grup parlamentar kanë shkuar në favor të nismave të Qeverisë.
Kështu, deputetët e AAK'së që abstenuan në mocionin për të ndalur privatizimin kanë qenë vendimtare për ta rrëzuar nismën e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend.