Largohet P.J.Crowley

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, P.J. Crowley, dha dorëheqjen pas komenteve kritike që bëri ndaj Pentagonit, lidhur me trajtimin e një personi që akuzohet se i ka dhënë informacione të klasifikuara faqes së internetit, Wikileaks.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, njoftoi përmes një deklarate se ajo e ka pranuar dorëheqjen e zëdhënësit. Në të njëjtën deklaratë, Crowley theksoi se ai merr përgjegjësinë e plotë për komentet e tij.
Të enjten e kaluar, Crowley tha para një audience të vogël në një Universitet se trajtimi i ish-analistit të zbulimit, Bradley Manning, nga Departamenti i Mbrojtjes ishte “qesharak” dhe “kundër-produktiv.”
Ndërkohë, të premten, presidenti Barack Obama tha se kishte marrë garanci se ish analisti Manning do të trajtohej në përputhje me ligjin.