Basha shpallet kandidat i PD-së për Tiranën

Kryeministri dhe lideri i PD-së, Sali Berisha sot shpalli publikisht Lulzim Bashën, ministrin e brendshëm për kandidat të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës.
Pohimin e bëri vetëm sot pasdreke, hapur, Kryeministri Sali Berisha, gjatë një vizitë që bëri me rastin e Ditës së Verës në Elbasan, transmeton agjencia e lajmeve NOA.
Ai u pyet nëse “do të festoni dhe në Tiranë?” dhe tha: “Vitin tjetër kryebashkiaku i ri i Tiranës dhe kryebashkiaku i ri i Elbasanit do të bëjnë një agjendë të përbashkët për të festuar Ditën e Verës”, – deklaroi kryeministri dhe, i pyetur këtu, nëse “do të jetë zoti Basha?”, u përgjigj: “E kush tjetër”.
Emri i Lulzim Bashës artikulohet kështu për herë të parë nga mazhoranca dhe kreu i saj. Ishte vetë Basha rreth një vit më parë që duke folur për Blendi Fevziun në Opinion, u shpreh i gatshëm të kandidonte për bashkinë e Tiranës nëse do t’i kërkohej nga mazhoranca.
Opozita pritet që sërish të shpallë kandidaturën e Edi Ramës për kreun e bashkisë së Tiranës. (INA)