Largohet menaxheri i Shalkes, Andreas Mëler
Karriera e Andreas Mëler, si menaxher i përgjithshëm te Shalke, ka marrë fund. Pas bisedimeve të fundjavës, klubi i Bundesligës gjermane konfirmoi largimin e ish-lojtarit të njohur, i cili mbante këtë post drejtues prej majit 2006. Në anën tjetër, krerët e Shalkes konfirmuan se trajneri Fred Ruten do të vazhdojë punën e nisur. Vendimi për "divorcin" me Mëler u mor nga presidenti Jozef Shnusenberg dhe supervizori i këshillit administrativ, Klemens Tonies. "Mëler u largua nga detyra që mbante dhe vendimi ishte unanim", shpjegoi Tonies, "pasi nuk pranoi propozimin për t‘u dorëhequr". 46-vjeçari i jep lamtumirën Shalkes pasi ka kaluar 21 vjet në këtë klub, fillimisht si futbollist e më pas si drejtues. Skuadra po kalon një moment të vështirë: ata janë paraqitur dobët në kampionat (ku renditen të tetët) dhe në Evropë, ndërkohë që gjatë javës së kaluar Shalke u eliminua nga Kupa e Gjermanisë prej Maincit.