"Largova autobotin për të shpëtuar jetë të tjera"
Shefi i Krimeve të Beratit, Përparim Dyrma, është personi që la të shtangur gjithë ekipin e shpëtimit në Lapardha. Ai guxoi të merrte timonin e autobotit që ishte ende në flakë dhe ta shpinte larg zonës së banuar, për të shpëtuar jetën e qindra banorëve që ishin afër saj.
Z.Dyrma, ju larguat autobotin. Mund të na tregoni si ndodhi?
Policia e Shtetit është në mbrojtje të njerëzve. Ne kështu vepruam. Në momentin që shpërtheu gazi në Lapardha, policia në bashkëpunim me zjarrfikësit arritën të shmangin një tragjedi të vërtetë. Pra, unë ndërhyra dhe mora timonin e autobotit.
Por autoboti ishte me flakë, ju rrezikuat jetën tuaj...
Kur pashë që po rrezikoheshin qindra banorë, të cilët i kishin sytë nga policia vendosa që të futesha tek autoboti dhe ta largoja. E ndeza shumë shpejt dhe e largova rreth 1 kilometër.
A menduat se mund të shpërthente pasi rreth saj kishte flakë?
Kur pashë fëmijën e djegur, mu kujtuan fëmijët e mi. Puna ime ka dhe një ideal, pra për të mbrojtur këta njerëz që ishin në rrezik. Dhe unë këtë zbatova: hipa në makinë duke ditur se jeta ime ishte në rrezik, por do të shpëtoja shumë jetë njerëzish.
Ju po hetoni ngjarjen. A ka një shkak kjo që ndodhi?
Paraprakisht, shkaku është se nuk janë zbatuar rregullat e sigurimit teknik, pasi gazi rridhte lirshëm. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e kësaj ngjarje tepër të rëndë ku humbi jetën një person dhe u dogjën tre të tjerë. d.xh