Policia Këshillit Bashkiak:Rihapni rrugën e Kalasë
ELBASAN - Drejtoria e Policisë së Elbasanit i kërkon Këshillit Bashkiak të vendosë për hapjen e rrugës para portës së kalasë për të lehtësuar qarkullimin. Segmenti i përuruar këtë vit është kthyer në një shëtitore të preferuar për qytetarët e Elbasanit, por ndërsa ka kaluar një kohë e gjatë nga bllokimi i saj për mjetet kërkohet heqja e vendimit. Policia pasi ka negociuar me bashkinë për hapjen e rrugës nuk ka gjetur dot zgjidhjen, madje drejtori i ri i policisë, Aleksandër Hajdari i ka dërguar një shkresë Këshillit Bashkisë për hapjen e rrugës, por ajo nuk u fut në rendit e ditës, duke u cilësuar si kërkesë pa vend. Në fakt bllokimi i rrugës nga ana e Bashkisë së Elbasanit për t'u kthyer në një shëtitore, ku të lëvizin vetëm këmbësorët ka qenë e pritshme nga të gjithë qytetarët. Por, për policinë e drejtuesit e mjeteve, kryesisht gjatë orëve të ditës krijohet një trafik i dendur, duke e bërë dhe të pamundur mbarëvajtjen e qarkullimit. Në shkresën që policia i bën pushtetarëve vendorë kërkohet marrja në konsideratë e saj, duke u argumentuar dhe me faktin se në rast urgjence për në spital, për kalimin e zjarrfikëseve, por dhe mjete të tjera të transportit publik ka vetëm një rrugë e cila më shumë qëndron e bllokuar se sa e lirë. Nga ana tjetër mësohet se dhe deputeti i Partisë Demokratike, Aurel Bylykbashi, i ka propozuar kryebashkiakut hapjen e rrugës, të paktën me orare të caktuara. Pritet që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak të ridërgohet për shqyrtim kërkesa e policisë së qytetit. a.k