E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lars von Trier e tërheq apologjinë e tij

Nga Express më 21 shtator 2011 në ora 09:17

Regjisori i filmit ‘Melancholia’ Lars von Trier tani thotë se nuk i vjen keq për deklaratat kontroverse që i ka bërë rreth Hitlerit në Cannes në fillim të këtij viti.

Në këtë mënyrë ai e ka tërhequr shfajësimin e tij për këto deklarata.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth trashëgimisë së tij gjermane pas konferencës së parë për filmin e tij, ‘Melancholia’, Von Trier kishte deklaruar se ‘mund ta kuptonte’ liderin nazist. Pas kësaj, zyrtarët e festivalit e shpallen ‘persona non grata’.

Regjisori e përsëriti apologjinë e tij pak pasi u kthye në vendin e tij në Danimarkë, por në një intervistë me numrin e këtij muaji të revistës GQ, Von Trier i ka tërhequr disa prej shprehjeve të tij të keqardhjes dhe ka thënë se apologjitë e mëhershme ishin të detyruara dhe të pavërteta për ndjenjat e tij.

“Të them se më vjen keq për atë që kam thënë është si të them se më vjen keq për atë se çfarë personi jam dhe kjo do të më shkatërronte mua si person”, ka thënë ai për GQ.

“Nuk është e vërtetë. Nuk më vjen keq për atë çfarë kam thënë. Më vjen keq se nuk kam qenë më i qartë. Nuk më vjen keq që kam bërë shaka. Por më vjen keq se nuk e kam bërë të qartë se ka qenë shaka”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›