Pranga 37-vjeçarit, shpërndante drogë
Antidroga e Durrësit ka ndaluar një shpërndarës droge gjatë një aksioni të organizuar pasditen e vonë të së hënës. Forca të shumta policore me uniformë dhe civile, si dhe inspektorë të qarkullimit rrugor kanë zbarkuar në zonën e njohur nga durrsakët si "Dyqani i Dylit" për kapjen e një shpërndarësi lëndësh narkotike, i cili në përpjekje për t‘i shpëtuar policisë ka hedhur drogën, që mbante me vete dhe është përplasur me dy makina të tjera, në një nga rrugët kryesore që lidh qendrën e Durrësit me spitalin. Ndalimi i Altin Deliallisit, 37 vjeç nga qyteti i Shijakut është bërë në një nga rrugët kryesore të qytetit, pranë lagjes 18 të Durrësit, jo larg Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Deliallisi ka qenë në ndjekje nga agjentët antidrogë dhe kur e ka pikasur ndjekjen është përpjekur të shmanget. Ka hedhur në rrugë dy qese me lëndë narkotike që dyshohet të jetë e tipit heroinë dhe ka bërë manovra në rrugë, duke shkaktuar përplasjen me dy automjete të tjera. 37-vjeçari nga Shijaku lëvizte me një automjet të tipit "Mercedez Benz" me targa të Durrësit në çastin e ndalimit. Policia nuk e ka bërë ende të ditur sasinë e drogës së kapur, pasi vazhdon kontrolli i imët i automjetit të tij me targë DR2902E dhe i banesës së tij në lagjen Popullore të qytetit të Shijakut.
Va.Qy.
Va.Qy.