E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me armë, pranga edukatorit të burgut

Një edukator i burgut të Fushë-Krujës përfundon në pranga për mbajtje armësh pa leje. Gjetja e armëve në makinë ka bërë që prangat të shtrëngohen mbi duart e 40-vjeçarit Robert Prushi, edukator në burgun e Fushë-Krujës. Arrestimi në flagrancë ndodhi natën e vonë të së hënës. Gjatë një kontrolli të ushtruar në automjetin e tij "Mercedes Benz" me ngjyrë blu dhe targa të huaja BTO306E, në bagazh iu gjet një automatik kallashnikov, një karikator me 30 fishekë, ndërsa në një thes të bardhë u gjetën dhe 3 karikatorë të tjerë të mbushur, të cilët u bllokuan në cilësinë e provës materiale. Automatiku dhe 4 krehrat me 120 copë fishekë u sekuestruan menjëherë me cilësinë e provës materiale. Ndaj Prushit me banim në lagjen "Kastrioti" të Fushë Krujës kanë nisur hetimet për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, ndërkohë që po punohet për të zbardhur motivet e mbajtjes së automatikut dhe karikatorëve nga edukatori me arsim të lartë i burgut.

Va.Qy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›