E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush e ka parë Albana Margjekën?

Policia federale e Mbretërisë së Belgjikës i kërkon ndihmë policisë shqiptare pesë muaj pas zhdukjes së 30-vjeçares, e cila që nga 15 janari i këtij viti nuk është parë më

TIRANË – Gati pesë muaj pas denoncimit të një shqiptareje të zhdukur, policia federale e Mbretërisë belge “dorëzohet” dhe i kërkon ndihmë policisë shqiptare. 30-vjeçarja Albana Margjeka, e cila rezulton të jetë zhdukur më 15 janar të këtij viti, është tashmë e shpallur në kërkim ndërkombëtar. Por, duke qenë se ajo është shtetase shqiptare, ndihma më e madhe pritet që t’u shkojë forcave policore belge nga policia jonë. Burime të besueshme pranë Policisë së Shtetit bënë të ditur për “Korrieri”, se fotoja dhe të dhënat personale të së zhdukurës u janë dërguar policive të shteteve më kryesore, në të cilat mendohet të ketë qenë destinacioni i Margjekës. Pesë muajt e hetimeve intensive, verifikimi i çdo të dhëne të marrë nga familjarët dhe miqtë e saj, të ambienteve dhe punës që ajo bënte, nuk kanë çuar drejt asnjë piste konkrete për hetuesit belgë, të cilët tashmë, të gjendur përpara asgjësë, u kërkojnë ndihmë homologëve shqiptarë. Sipas të dhënave të dërguara në policinë tonë, rezulton se “të martën më 15 janar, rreth orës 14:00, Albana Margjeka, 30 vjeçe, lë banesën e saj në Hamsur-Heure/Nalinnes, rruga “Bois Rombut”, në Belgjikë. Pas kësaj date nuk ka më asnjë gjurmë të saj. Margjeka është rreth 165 cm, është me trup të dobët dhe flokët i ka të zinj, të prerë shkurt. Në momentin e zhdukjes, ajo ishte veshur dukshëm me veshje sportive të zezë”. Momenti i fundit në të cilin është parë e humbura, ishte teksa ajo ka qenë duke lëvizur me automjetin e saj tip “Volkswagen Golf” ngjyrë blu me targë XQM 558. Ndërkohë që për t’i ardhur në ndihmë dy policive, asaj belge dhe shqiptare, vihen në dispozicion dy kontakte, një adresë e-maili dhe një numër telefoni: numri pa pagesë 129 dhe adresa “avisderecherche@police.be”.

Albana Margjeka është një nga qindra të humburit e denoncuar në policinë belge. Emri dhe të dhënat e saj figurojnë në listën e gjatë të të zhdukurve, rreth të cilëve nuk ka ende asnjë pistë hetimi. Në një sit zyrtar në internet, Albana Margjeka zë një hapësirë në një faqe ku kërkohen të humbur nga shumë shtete të ndryshme të Evropës. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›