Laurent Blanc: Zlatan Ibrahimoviç nuk do të largohet nga Paris Saint Germain
Laurent Blanc ka bërë të qartë se Zlatan Ibrahimoviç nuk do të largohet nga Paris Saint Germain, të paktën për këtë sezon. Trajneri francez sqaroi se sulmuesi suedez nuk ka ndërmend të ndërrojë skuadër.
“Kam folur gjatë me Zlatan, dhe nuk ka arsye pse duhet të largohet nga Parisi. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm i skuadrës dhe këtë e tregoi edhe sezonin e kaluar. Unë e kam në planet e mia edhe për sezonin e ardhshëm”, u shpreh Blanc.
Në këtë mënyrë Blanc hedh poshtë të gjitha zërat që e lidhin 31-vjeçarin me Manchester City-n dhe Real Madrid. Ai shtoi gjithashtu se në skemat e tij Ibra dhe Cavani funksionojnë shumë mirë me njëri-tjetrin.
“Unë kam idetë e mia sa i përket skemës taktike ku do të bazohet loja e PSG-së. Besoj se Ibrahimoviç dhe Cavani plotësojnë njëri-tjetrin. Thhjesht do të më duhet të dij sesi të menaxhoj egon e tyre”, përfundoi tekniku i kampionëve të Francës.