Lavde për vetveten

Shkrimtari i respektuar, i cili në vitin 2010 u nderua me mirënjohjen për romanin më të mirë kriminalistik të vitit, shfrytëzoi të paktën dy identitete të rremë, me të cilët madhëronte krijimtarinë e tij letrare në Amazon.com.
Në postimin e nënshkruar si “Jelly Bean”, për romanin e tij “Besimi i Qetë në Engjëj” RJ Ellory shkroi se është “një prej librave më të mirë që kam lexuar ndonjëherë”. Për më tepër, shton se libri “është shkruar aq bukur, saqë më mundësoi që të ndihem si pjesë e një epoke të kaluar, megjithëse e di që kjo gjë s’është e mundur”. Për këtë arsye, shkroi ai, “këtë libër ua sugjeroj ngrohtësisht të gjithë atyre që dëshirojnë të kënaqen në leximin e një teksti të klasës së parë”.
Nga ana tjetër, në postimin e nënshkruar si “Nicodemus Jones”, Ellory e madhëron të njëjtin libër, duke e cilësuar si “një kryevepër moderne”. “Blijeni, lexojeni dhe nxirreni përfundimin vetë. Cilido që të jetë ndikimi i saj, ai do t’ju prek në shpirt”, sugjeron “Nicodemus Jones”.
Por, veç lavdeve, Ellory postoi edhe kritika. Natyrisht, për librat e shkrimtarëve konkurrentë. Ka shumë raste kur me pseudonimin e njëjtë (“Nicodemus Jones”) shkruan keq e më keq për veprat e kolegëve.
Kështu, për shembull, për romanin “Gjaku i Errët” (Dark Blood), të autorit skocez, Stuart MacBride, shkruan se, ky “është libri i dytë që lexova nga autor, dhe, t’ju them të drejtën, s’di si mund të jetë një libër më i mërzitshëm se ky”.
Veç kësaj, Ellory duket se nuk mundohej fort që të fshihte identitetin e tij. Kështu, një kritikë të postuar nga “Nicodemus Jones” e nënshkroi me emrin e tij të vërtetë, Roger, përderisa në një kritikë tjetër të postuar të interesuarve ua dha edhe e-mail adresën e tij personale.
Por, kolegu i tij, shkrimtari i krimi-romaneve Jeremy Duns, duket se ishte i pari që i kuptoi dredhitë e RJ Ellory, andaj vendosi që të konfrontohet drejtpërsëdrejti me të në rrjetin social Twitter. Duns (38) pohonte se në Amazon.com Ellory po shkruante recensione me “pesë yje” për punën e tij, përderisa të njëjta i cilësonte si “lëvdata të gjata e të purpurta, kushtuar gjenialitetit të tij të mrekullueshëm”.
Si rrjedhojë, nuk vonoi shumë dhe loja e dyfishtë e Ellory përfundoi. Gjegjësisht, pasi që shpërtheu marrja, Ellory u detyrua që t’iu kërkonte falje publike “të gjithë lexuesve dhe komunitetit letrar”.
Në fakt, dy net më parë, Ellory vendosi që, nëpërmjet agjentit të tij, të kërkoj falje publike për veprimet e bëra.
"Recensionet e kohëve të fundit - qofshin ato pozitive apo negative – që ishin postuar në llogaritë e mia të hapura në Amazon.com, janë përgjegjësi vetëm e imja”, sqaroi Ellory.
"Me çiltërsinë më të madhe, them se më vjen keq që lejova që mendimet e mia të ulëta personale të përhapeshin në këtë mënyrë. Dëshiroj të kërkoj falje nga të gjithë lexuesit e mi dhe nga mbarë komuniteti letrar”.
Gjithsesi, ky rast i pakëndshëm ktheu vëmendjen e publikut britanik ndaj një dukurie goxha të përhapur në ditët e sotme, kur me rastin e botimit të ndonjë vepre të re shkrimtarët fillojnë “fushatën reklamuese” në rrjetet shoqërore Twitter, Facebook etj., ku – nën emra inekzistentë – e komentojnë librin e vetë, madje edhe polemizojnë me vetveten për të, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes së publikut. Për më tepër, disa prej tyre e pranojnë haptas një gjë të tillë, sepse këtë veprim nuk e shohin si të keq. Natyrisht, përveç nëse nuk kalohen kufijtë e shijes së mirë dhe të ndershmërisë, si në rastin e Ellory.