Loja e Thaçit
Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, ka thënë të mërkurën se riformatizimi i paralajmëruar i Qeverisë është thjesht një lojë e Kryeministrit Hashim Thaçi.
“Është një temë që po e torturon opinionin publik të Kosovës. Mendoj se është totalisht irelevante për popullin e Kosovës se - a do të ketë ndërrim të ministrave apo jo”, ka deklaruar ai.
“Nuk kemi të bëjmë me tendencë që riformatizimi ta fuqizojë Qeverinë, por kemi tendencën e Kryetarit të PDK’së, Hashim Thaçi, për ripozicionimin e raporteve brendapërbrenda PDK’së”, ka shtuar ai.
Arifi, i cili është edhe Këshilltar i Kryetarit të AAK’së, ka thënë se nuk është i nevojshëm krijimi i Ministrisë së Integrimeve Europiane.
“Në këtë bazë, Kosova nuk ka nevojë për Ministri të Integrimeve Europiane, sepse Raporti i Progresit në asnjë moment nuk e sheh se është mungesë e mekanizmit”, ka deklaruar ai.
Gjithashtu, Arifi shprehet kundër emërimit të ministrave pa portofol.
“Kjo është vetëm një copë e kulaçit që Hashim Thaçi po shikon ta shpërndajë te njerëzit e Partisë Demokratike të Kosovës”.
Avni Arifi thotë se është shumë e rëndësishme që të mbahen zgjedhjet parlamentare, të cilat do të shënonin njëherësh edhe fundin e kësaj qeverie.
“Unë mendoj se është në interes të Kosovës që kjo qeveri të zhbëhet dhe të kemi zgjedhje parlamentare”, ka thënë ai.