Lazarati, me 72 roja deri në muajin shtator
TAKIMI/ Është vendosur ngritja e 6 grupeve me nga 10-12 vetë të cilët do të monitorojnë kultivimin e hashashit
GJIROKASTËR- 72 vetë do të monitorojnë Lazaratin për katër muaj me radhë, duke filluar nga data 8 maj e deri në shtator. Gjashtë grupe janë përcaktuar për këtë qëllim, në përbërje të të cilëve do të jenë 10-12 vetë.
Ndërsa fushata kundër kultivimit të bimëve narkotike ka hyrë në fazën e dytë të saj, atë evidentuese, burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë pohuar se grupet e punës janë gati dhe nesër (e shtunë) do të fillojnë të bëjnë krehjen e çdo pëllëmbe toke që kanë në juridiksionin e tyre "Në çdo komunë dhe fshat janë ngritur grupet e punës, të cilët janë të përbëra nga pleqësia e fshatit, këshilltarë të komunës, punonjës policie dhe të punësuar në administratën shtetërore", kanë bërë të ditur burimet policore.
Ndërkaq, fshati Lazarat ka qenë sërish të enjten vendi i takimit me drejtues të Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor e banorë të kësaj komune.
Zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, zv.drejtori i Përgjithshëm Hamdi Fjora, drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër Emri Vata dhe punonjësit e patrullës së përgjithshme që kryejnë shërbim në këtë komunë, të gjithë ata punonjës policie që janë caktuar në grupet e punës kanë zbritur në fshatin problematik për të ridhënë edhe njëherë mesazhet kundër kultivimit të bimëve narkotike.
"Policia e Gjirokastrës, tashmë ka rritur performancën e saj, si në drejtim të shërbimeve që ofron për qytetarët, profesionalizmit, ashtu edhe të forcës goditëse kundër krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi. Kjo tregohet qartë edhe këtu në Lazarat, ku forcat e policisë patrullojnë në çdo lagje të këtij fshati, ku vitet e kaluara ka qenë problematik në këtë drejtim.
Policia e Shtetit në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe të komunitetit do ta fitojë këtë sfidë , pasi përpara ligjit s'ka të fortë dhe të paprekshëm", është shprehur Fjora. Sipas policisë, gjatë kësaj fushate antikanabis për herë të parë do të përdoren edhe operacionet e hapura, ku të gjitha veprimet monitoruese dhe evidentuese do të jenë plotësisht të ndjekura nga mediat.