E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e ushtarakëve, Spaho: Të shtyhet miratimi

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, i kërkon Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, të heqë nga axhenda e seancës së sotme plenare aktin normativ për pensionet e pushatakëve. Burime nga Kuvendi bëjnë të ditur për gazetën se, përmes një letre, Spaho i kërkon Topallit shtyrjen e votimit për aktin normativ të ushtarakëve për t’i dhënë më shumë kohë Komisionit të Ekonomisë për shqyrtimin e tij. Axhenda e seancës së sotme plenare e bërë publike që dje parashikon si pikë të 12-të të saj diskutimin dhe miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 10.11.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”. Ky draft ka marrë edhe miratimin e Komisionit të Sigurisë, edhe pse pa votat e opozitës, e cila e bojkotoi atë. Akti normativ parashikon që llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve të bëhet mbi pagën mesatare referuese neto të çastit, kur një përfitues merr pension. Në këtë mënyrë, përfitimi nga pensioni përllogaritet si pjesë e përfitimit faktik mujor nga puna dhe teorikisht nuk mund të jetë më i madh se paga neto që një ushtarak apo punonjës policie merrte gjatë kohës që ishte në punë. Rendi i ditës i seancës së sotme plenare ka plot 19 pika për diskutim, mes tyre projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7918, datë 13.4.1995, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekëve të privatizimit)”, dhe dekretit nr. 1049, datë 27.3.1995, “Për disa plotësime në dekretin nr. 1030, datë 23.3.1995””, të ndryshuar” si dhe një sërë projektligjesh të tjera të rëndësishme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›