E Shtunë, 31 Tetor 2026

Le të quhet edhe e “poshtër”, vetëm sa më shpejtë në NATO dhe BE

Historianët shqiptarë kanë shprehur rezerva rreth propozimit që emri i ri i Maqedonisë të jetë “Republika e Epërme e Maqedonisë”.

I kanë sqaruar edhe shkaqet pse kanë rezerva. Jo se sqarimet e tyre nuk janë të rëndësishme dhe nuk mbajnë, mirëpo në këtë kohë të pakohë, interesi parësor i shqiptarëve është anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Interes historik ndoshta më i madh se vetë historia. Prandaj ja vlen të bëhet edhe kompromis historik. Le të quhet e “epërme”, apo e “mesme”, nuk prishë punë. Le të quhet edhe “e poshtër”, në fund të fundit, sepse edhe ky emër mirë i qëndron (nëse Greqia e pranon). Vetëm sa më shpejtë të hapen dyert e NATO-s dhe BE-së. Sepse shqiptarët me të vërtetë janë kah fundi me durimin. Nervoza jonë nga vonesa e anëtarësimit në NATO është shumë më e madhe nga që mund ta përshkruaj një kolumnist. Anëtarësimin në BE e presim edhe me më padurim.

Prandaj nuk është koha për llafe e për kafe, por është koha për punë. Secili duhet ta bëjë punën e vet. Kolumnat duhe t’u lihen atyre që marrin honorare si kolumnistë, kurse politikanët duhet marrin përgjegjësinë për zgjidhjen e këtij problemi konform votave që i kanë marrë. Fundja edhe konform beneficioneve që i gëzojnë. Nëse këtu përzihen hesapet, atëherë vështirë mund të shpresojmë për zgjidhje sa më të shpejtë. Politikanët nuk duhet të lejojnë të shndërrohen në “mish për top” që Gruevski të tallet me kolumnat e tyre. Duhet të dalin me propozime konkrete. Ashtu siç po i tregon Gruevski qëndrimet e veta pa i’u trembur syri edhe politikanët tjerë duhet të tregojnë haptazi nëse pajtohen me Gruevskin, ose t’i tregojnë alternativat tjera (nëse nuk pajtohen me Gruevskin). Duhet të jenë të vetëdijshëm për peshën historike të momentit.

Sepse nuk bëhet fjalë këtu nëse Shehtanski e ka shkelur edhe një herë ndonjërin prej ministrave të pushtetit lokal të BDI-së, duke i ndërhy në ingerenca. (Veçmë jemi mësuar me këtë dukuri). Poashtu nuk bëhet fjalë nëse Abdilaqim Ademi i ka dhënë koncesion të ri ndonjë ndërmarrje “Pakomak” ose “Makopak” për paketim apo riciklim të bërlloqeve.

Këtu bëhet fjalë për vendim me peshë historike, që cakton të ardhmen e një vendi dhe popujve që jetojnë në të. Andaj edhe sjellja e politikanëve duhet të jetë në këtë nivel./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›