E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtimi i imazhit të Policisë së Kosovës

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë vetë ata që po ia dëmtojnë imazhin institucionit për të cilin punojnë. Disa janë apo kanë qenë të përfshirë në vepra të jashtëligjshme, e disa kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Së fundi disa zyrtarë policorë ende të paidentifikuar kanë lejuar që veturën zyrtare t’ua përdorë një femër për ekspozim provokativ të trupit të saj. Policia nuk është në njohuri për rastin, megjithatë pas marrjes së fotografive nga KTV-ja, konfirmon nisjen e hetimeve. I konsideruar institucioni më i besueshëm në vend, Policia e Kosovës prej vitesh vazhdon të sfidohet nga shkelje të ndryshme që bëjnë vetë zyrtarët policorë.

Jo rrallë herë policët kanë qenë objekt i hetimeve, i veprave kriminale dhe proceseve gjyqësore.

E të gjitha këto kanë zbehur imazhin e këtij institucioni.

Por nuk janë vetëm këto që kanë dëmtuar imazhin e policisë.

Një prej këtyre skandaleve mund të konsiderohen edhe këto fotografi që i ka siguruar Kohavisioni.

Në fotografi siç shihet paraqitet një femër që ekspozon trupin e saj në mënyrë mjaft provokative dhe atë mbi veturën e policisë.

Megjithëse në këto fotografi shihet vetura zyrtare e policisë, kjo e fundit nuk është në njohuri për ekzistencën e tyre.

KTV-ja ka kërkuar disa sqarime, për të cilët policia është përgjigjur vetëm nëpërmes emalit zyrtar.

KTV-ja ka kërkuar të dijë nga Policia se a është në njohuri për ekzistencën e këtyre fotografive, për faktin nëse dikush prej zyrtarëve policorë është suspenduar apo nëse dikush është duke u hetuar për abuzim të veturës dhe detyrës zyrtare, por ky institucion ka thënë se do të konfirmojë origjinalitetin e fotografive.

Po ashtu pasi KTV-ja ia ka dërguar policisë këto fotografi, ky institucion ka konfirmuar edhe nisjen e hetimeve.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju informojmë se ne tani nuk mund të konfirmojmë origjinalitetin-vërtetësinë e këtyre fotografive, andaj për këtë do të bëhen hetime të detajuara edhe rreth analizimit të mundësisë së foto-montazhit. Njëkohësisht ju konfirmojmë se njësitet përkatëse policore do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për hetimin në tërësi të këtij rasti dhe në rast se hetimet rezultojnë me ndonjë përfshirje, shkelje nga ana e zyrtarëve policorë, do të ndërmerren masa të menjëhershme konform autorizimeve policore”.

Megjithatë në polici është thënë se verifikimi dhe procesi i hetimeve do të marrë kohë pak më të gjatë, pasi në fotografi nuk shihet numri i targave të automjetit policor./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›