E Shtunë, 31 Tetor 2026

Le të shkelet privatësia

Është një gjë më e fortë sa e gjithë mazhoranca që ka ngritur në këmbë kryeministri Berisha: dashuria dhe pasioni për të shkelur ligjin. Nuk mund të punojnë dot, nuk konceptojnë dot të respektojnë Kushtetutën, Shtetin dhe as njerëzit që përfaqësojnë institucionet si Presidenti, Drejtësia, Media. Në mazhorancën aktuale e shpërfillin ligjin, pasi ligji për të gjithë ata që aderojnë është një emër: Berisha. Dhe çdo veprim që bëhet kryhet në funksion të ekzistencës së tij.
Këshilltari juridik i Presidentit Bamir Topi foli para mediave lidhur me ftesën që i ka bërë Presidentit komisioni hetimor i mazhorancës për t’u paraqitur përpara këtij komisioni: Eshtë kërkesë e jashtëligjshme dhe komisioni operon në mënyrë të jashtëligshme. Presidenti ishte i fundit në radhë që po përsërit një gjë që është thënë që minutat e para të tentativës së krijimit të këtij komisioni hetimor qesharak: Eshtë i jashtëligjshëm. Por jo për 6 anëtarët pa personalitet e dinjitet personal, që e përbëjnë. Ata vazhdojnë të bëjnë pyetje që të kënaqin kryeministrin, Ministrin e Brendshëm, duke iu ofruar shoqërisë mbarë, spektaklin më të shëmtuar, duke krijuar një karikaturë të një komisioni hetimor; duke zhvleftësuar, në këtë mënyrë, edhe rolin e rëndësishëm të një komisioni hetimor parlamentar.
Në mënyrë të gabuar, mendoj, po argumentohet në shtyp e media përgjithësisht, kërkesa që ky komision bëri për tabulatet e krerëve të lartë të Shtetit dhe gazetarë. Argumentohet si shkelje privatësie. Asnjë gazetar në botë nuk do të besdisej nga shkelja e privatësisë, në këmbim të daljes së të vërtetës. Skandali i kërkesës së tabulateve nuk qëndron në faktin se u bë për të nxjerrë të vërtetën (asnjë e vërtetë nuk del nga publikimi i tyre), por nga fakti që 6 shkelës të ligjit me fytyra servilësh të pakorrigjueshëm duan të bëjnë thashetheme duke futur në amulli përfundimtare gjithë Shtetin.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›