Lefter Maliqi: “Berisha theu mendimin konservator të bastioneve, me atë si Kryeministër punohet shumë mirë”

Lefter Maliqi, kryetari i suksesshëm i Komunës Otllak në rrethin e Beratit, ka vendosur të dorëzojë këtë mandat, duke synuar një tjetër mandat, atë të deputetit të Partisë Demokratike. I gjendur tashmë në listën e kandidatëve të PD-ës, për Qarkun e Beratit, Maliqi, nuk e fsheh, se ka qenë bashkëpunimi i tij shumë i mirë si kryetar Komune, me Kryeministrin Berisha, apo edhe me ministrat Olldashi e Nishani, që ai të ndryshojë pamjen e kësaj komune, të arrijë rezultate të dukshme, si edhe të synojë që këtë bashkëpunim ta çojë edhe më tej, në një rrafsh edhe më të gjerë, në atë legjislativ.
Në një intervistë për gazetën “55”, Lefter Maliqi, i cili fitoi si kryetar komune nën siglën e LSI-së, nuk rri pa përmendur se “thyerja e mendimit konservator bënë që me Berishën të punohet edhe në politike”.
Cila është karriera juaj politike?
Unë kam katër vjet që merrem me politikë. Në vitin 2005 në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut të atij viti, dola i pesti në listën për deputet në të gjithë vendin në zonat ku konkurroi LSI, por nuk u bëra deputet. Pse do të pyesni ju? Sepse, deputetët “u emëruan” nga Tirana nga selia e partisë. Në 2007 po nga LSI kandidova për mandatin e kryetarit të komunës Otllak dhe dola i pari në konkurrencë me të majtët dhe të djathtët dhe u bëra kryetar i kësaj komune. Këtu dua të sqaroj se në të dy fushatat nuk kam bërë luftë politike kundër PD-së dhe PS-së por thjesht luftë politike kundër kandidatëve, pasi vij nga jeta ushtarake që 14 vjeç dhe nuk kam pasur dhe skam bindje politike majtas apo djathtas, gjë të cilën e kam shfaqur edhe në punë ku në administratën e komunës janë ende të punësuar nëpunës me tesera të djathtët e të majtët.
Prej dy vjetësh, jeni kryetar i komunës Otllak, Mund të thoni, cila ishte konkretisht taktika juaj menaxhuese që arritët të plotësoni në vetëm gjysmën e mandatit të konsumuar, përmirësimin e dukshëm të gjendjes së kësaj komune, veçanërisht në përmirësimin e kushteve në shërbimet publike të banorëve të komunës?
Puna ime filloj e qetë, pa bujë por me projekte konkrete dhe me ndihmën e qeverisë si dhe me menaxhimin e mirë të taksave që mblidheshin nga biznesi dhe nga fermerët, u arrit aq sa për dy vjet të kthej rrënjësisht fytyrën e kësaj komune që sot është tepër e dukshme krahasuar me dy vjet më parë.
Çfarë mbani mend nga dita juaj e parë si kryetar komune, në ç’gjendje e gjetët këtë komunë? Komunën e gjeta pa rrugë rurale, të pakalueshme, fshatrat nuk kishin lidhje rruge, nuk kishte gjurmë rruge ku të kalonte makina sidomos në fshatrat kodrinor malor, ndërsa për rrugët e lagjeve as që bëhej fjalë. Godina e komunës ishte vetëm 6 km larg qytetit. Brenda saj ishin të grumbulluara prodhimet bujqësore dhe bagëtitë e banorëve dhe për këtë arsye nuk kishte as një mundësi apo kushtet minimale për të punuar një punonjës i saj. Qendra kulturore në qendër të fshatit më të madh të komunës Lapardha vetëm qendër kulture nuk mund të quhej. Nuk kishte një shenjë që identifikonte këtë si qendër të tillë. Një tjetër problem ishin shkollat me mangësi të theksuara për kushtet e mësimi dhënies, pa mjete mësimore, pa oborre, me hapësira të pasistemuara. Qendrat shëndetësore në fshatra thuajse mungonin apo dhe në ato pak që ishin jashtë përdorimit e plot probleme të tjera që hasa më një sërë vështirësish që në fillim të mandatit të kreut të kësaj komune për ti rregulluar.
Nga kryetar komune në kandidat për deputet... A mendoni se rezultate tuaja të deritanishme janë të mjaftueshme për të synuar një mandat deputeti?
Pa më të voglin dyshim mund të them se për mua, personalisht, është më se e mjaftueshme, falë punës dhe rezultateve të mia, të synoj për një mandat deputeti. Gjatë këtyre viteve në krye të komunës Otllak, unë nuk kam shpikur asgjë, nuk kam bërë ndonjë çudi, por thjesht dhe vetëm kam ndihmuar zonën time me menaxhimin e të ardhurave të tyre dhe grandet e shtetit në mënyrë perfekte. Bazuar në shifra komuna Otllak mbledh 300 milion lekë të vjetra në vit dhe po aq fonde merr dhe nga buxheti i shteti. Menaxhimi i mirëfilltë i këtyre fondeve ka bërë që në këtë komunë për dy vjet të ulet niveli i papunësisë. Administrata e kësaj komune, kur unë erdha në drejtimin e saj para më se dy vjetësh kishte 33 nëpunës e punonjës, aktualisht ajo ka 80 nëpunës e punonjës. Kjo u arrit pas krijimit të brigadës së ndërtimit e kompletuar me mjete pune si fadroma dhe mjete transporti që i duhen kësaj brigade komunale, pasi punon në rregullimin, riparimin e rrugëve të fshatrave, riparim kanalizim e ujësjellës, etj. Ndërsa një pjesë e punonjësve të kulturës shërbejnë në pallatin e kulturës tashmë i rikonstruktuar nga themelet duke e kthyer njëherë e përgjithmonë nga magazinë në një pallat kulture me vlera bashkëkohore, me ansambël, sallë interneti, librari e plot salla të tjera studimi. Besoj se këto rezultate, që sigurisht janë vetëm maja e ajsbergut, mjaftojnë ëpr mua, që të synoj një tjetër mandat, atë ët përfaqësimit, jo vetëm të kësaj zone, në pushtetin legjislativ.
Në rrafshin personal, si e shihni ecurinë e fushatës elektorale dhe si ndjeheni në këto prag zgjedhjesh?
Si fillim, si kryetar i komunës Otllak, një nga komunat më të mëdha të qarkut të Beratit, me 15 mijë banor dhe me rreth 11 mijë votues, mund të them se kushdo nga krerët e shtetit është i interesuar në një bashkëpunim të mirë, me komuna të tilla kudo që ndodhen dhe që kanë një numër banorësh të konsiderueshëm. Duke u nisur nga numri i votuesve në këtë komunë (saktësisht 10750 votues), me sistemin e ri zgjedhor, për këtë zonë ka një deputet. Ajo çfarë kam bërë unë për banorët e kësaj zone, më bën që unë sot të shoh me shumë optimizëm fushatën elektorale për tu zgjedhur deputet në zgjedhjet parlamentare. Ndihem i vlerësuar pasi unë kam dhënë për këtë komunë dhe jam i sigurt se shpërblimi i banorëve të zonës sime është vota më 28 qershor.
Çfarë patë ju te PD-ja që pranuat të ishit kandidat për deputet i saj?
Sot me ato që ka bërë Berisha për këtë vend dhe vazhdon të bëj këtë qeveri e shoh me shumë vlerësime pozitive e maksimale sidomos për kryeministrin Sali Berisha, Ministrin Olldashi, Nishani etj të cilët më kanë mbështetur për cdo kërkes apo investim që kam kërkuar pa parë ngjyrat politike dhe për këtë u jam mirënjohës. Dhe për mua kjo është politik e moderuar që unë kërkoj të fus në të ardhmen si dhe vlerësoj ata lider politikë që mbështesin dhe vlerësojnë punën që unë bëjë në shërbim të votuesve të mi. Dua të them me bindje se kreu i PD-së, Sali Berisha po të ishte konservator në politikë nuk do të vinte në këtë zonë që dikush e ndrydh se bastionin e tij, pikërisht thyerja e mendimit konservator bënë që me Berishën të punohet edhe në politike. Ndaj lidhjet e mija me PD-ën, janë lidhje të forta mirënjohëse, lidhje që të bëjnë të punosh edhe në politikë.
Cili është mesazhi juaj, përse duhet t’ju votoj elektorati në këto zgjedhje?
Në fillim dua të them se Berisha më vlerësoi punën dhe mbështetjen time në popull. Kjo ambicie nuk është personale dhe karrieriste sepse unë kam një mundësi të rëndësishme për votën popullore dhe këtë sakrificë e bëj për interesa të rrethit të Beratit për ti kthyer besimin e këtij populli të zhgënjyer nga deputet që çirren dhe të tjerë që flenë gjumë duke parë vetëm interesat e tyre dhe jo të popullit apo banorëve të zonave ku dhe kanë marrë votëbesimin. Iu premtoj qytetarëve të Beratit, se do të ngre zërin tim për çdo hall familjar, për çdo problem ta zgjidh siç e kam zgjidhur, për çdo punë ta përfundoj siç kam bërë por edhe më shumë. Me qeverinë e PD-së, i them elektoratit se shanset për të ndryshuar këtë vend janë të mëdha. Mos u gënjeni por besoni atë që punon për ju. Besoni në aftësitë e mia, besoni te PD-ja se kemi treguar çfarë themi është bërë, çfarë premtojmë do të realizohet.
Së fundi nga fjalët që përmendët më lartë, mes kandidatëve për deputet nga të gjitha forcat politike, si mendoni se ju shohin, si mik, si armik apo si kundërshtar të fortë? Ju vet ku e fusni veten?
Unë për të gjithë kategoritë e rivalëve që përmendët, jam kundërshtar dhe mik jam vetëm me popullin dhe me liderin që më mbështet dhe vlerëson. Nuk ka mundësi të fitojnë kandidatët që nuk vijnë një herë në popull, se s’kanë bërë asnjë për ata banorë për vite me radhë. Nuk kanë mundësi të dal dikush tjetër që premton dhe s’bën asgjë për Beratin. Unë kam një mbështetje absolute në banorët e zonës ku dhe punoj për këtë po të doni bëni dhe një sondazh.
Intervistoi, Aurora Gozhina
Kandidati për deputet I PD-së
Lefter Maliqi, 6 vjeç, i martuar, me dy fëmijë ( dy vajaza)
Arsimi – Akademia Mbrojtjes, Akademia e Policisë
Specializimet – Instituti Demokratik Amerikan,
Kolegji i Lartë i NATO-së
Karriera - Shef policie në tetë rrethe
Shef komisariati në dy rrethe
Pedagog në Akademinë e Policisë
Një vit në SHBA
Kryekomisar
...