E Diel, 1 Nëntor 2026

Elfrida Zefi: Me PD-në ecet vetëm përpara, eksperimentet dhe ëndrrat fantazmagorike i përkasin të shkuarës

Rrallë ndodh që një kandidat i ri për deputet të kthehet në një forcë për konsolidimin e fitores, sepse para së gjithash, para kandidatëve të rinj, janë atë, të vjetrit, që kanë mbi supe disa mandate politike, që njohin mirë terrenin, elektoratin, që njohin më së miri kundërshtarin politik dhe mbi të gjitha që kanë një elektorat të tyre të konsoliduar. Krejt ndryshe po ndodh me kandidaten për deputet për parlamentin e ardhshëm, me prof. dr., Elfrida Zefi , e cila tashmë është kthyer në “fenomenin e fitores”. Por si e shpjegon Zefi këtë që po ndodh me kandidatët e Partisë Demokratike. Shpjegimi i saj është tepër i thjeshtë.


“Ne na besojnë, ne na besojnë sepse realizuam ëndrrat e gjithë shqiptarëve, brena mandatit tonë qeverisës, Kosova  njohu pavarësinë e saj, Shqipëria u bë anëtare  e NATO-s, aplikuam për të qenë pjesëtarë të familjes Evropiane, shumë shpejt shqiptarët do të lëvizin në gjithë vendet e Bashkimit Evropian pa viza,  na duhet edhe pak kohë për të qenë anëtarë të familjes evropiane. Për të gjitha këto arsye shqiptarët vazhdojnë të mbushin sheshet me flamujt e Partisë demokratike. Ne ftojmë Edi Ramën të vijë në një nga takimet tona elektorale e të shohë me sytë e tij se me kë është Shqipëria. Neve na besojnë, sepse nxorëm mijëra njerëz nga varfëria, na besojnë sepse përmes punësimit, ngritjes së rrogave dhe pensioneve, sollëm mirëqenien në çdo familje, por së pari duke luftuar korrupsionin, krimin ekonomik dhe financiar, evazionin fiskal etj. Na besojnë sepse luftuam monopolet, u siguruam fermerëve shitjen e produkteve të tyre, lehtësuam maksimalisht taksat”, shprehet midis të tjerave ajo, në një intervistë për gazetën “55”, ku ajo shpjegon më tej edhe  se, ku qëndron “fenomeni” i fitores së Partisë Demokratike.


Në gjithë Qarkun e Korçës, nuk mungon ideja se ju po ngrini në këmbë gjithë këtë qark. Ajo ç’ka duam të dimë ka të bëjë me pyetjen, ku qëndron çelësi i suksesit tuaj në këtë fushatë elektorale dhe sa e vërtetë është kjo?


Shpjegimi është shumë i thjeshtë. Kjo gjë nuk po ndodh vetëm me mua, por me të gjithë kandidatët për deputet të Partisë Demokratike, aq sa më duket sikur të 12 kandidatët do të jenë fitues. Sigurisht që kjo gjë nuk mund të ndodhë, por e vërteta është se ne do të kemi një fitore mjaft të thellë dhe të sigurt, ashtu siç e kemi pasur në vitin 1992. Atje ku shkojnë kandidatët demokrat, ka jo vetëm entuziazëm, por edhe optimizëm dhe mbi të gjitha ndihet besimi dhe siguria. Ata janë të bindur  se edhe katër vitet e ardhshme do të jenë po kaq të suksesshme sa katër vitet që kaluan. Veç kësaj, ne jemi të impenjuar që të gjithë jo për të fituar pushtetin përmes sloganeve dhe filozofie marramendëse që kërkojnë çorientimin e elektoratit, por duke qenë realë, konkretë dhe me këmbë në tokë, duke u treguar me thjeshtësi se alternative e vërtetë është kjo dhe vetëm kjo. Shqiptarët nuk kanë luksin të humbasin kohë me eksperimente, sepse  me ta është eksperimentuar për 50 vjet me radhë nga regjimi komunist. “A duhen eksperimente të tjera?”, pyes unë, pyes dhe gjithë shqiptarët. Sigurisht që jo. Do të ishte e pafalshme për gjithkënd që  do të tentonte të eksperimentonte përsëri. Ëndrrat fantazmagorike u përkasin të tjerëve, ne ata i kemi lënë pas, në një botë që përjetësisht do të mbetet  e përmbysur. Shqipëria di të ecë vetëm përpara.


Ju thatë se pjesëmarrja e elektoratit ka qenë mjaft e gjerë, a mund të na shpjegoni më mirë, se çfarë i shtyn njerëzit të vijnë në sheshet tuaja dhe jo në ato të Partisë Socialiste?


Do t’u them diçka tejet të sinqertë. Kur më  përzgjodhën, që edhe unë të isha kandidate për deputete mendova se puna ime nuk do të ishte e lehtë. Mendova që do të ishte e vështirë dhe e lodhshme, por në të njëjtën kohë brenda qenies time mora një zotim, “Do të përpiqesha të thosha të vërtetën, pavarësisht nëse do të  më kuptonin apo nuk do të  më kuptonin njerëzit, sepse e dija që përballë do të kisha një kundërshtar që flet me sloganet e stilit të vjetër, që më shumë se propaganda nuk ka asgjë në thelb”. Tashmë jam e bindur që kjo mënyrë të foluri është e neveritshme për të gjithë shqiptarët. Por çfarë ndodhi, do të pyesni ju? Që në takimin e parë konstatova me kënaqësi se njerëzit ishin të interesuar të dëgjonin alternativën e Partisë Demokratike, ndiheshin mirë nga ato çka kishin arritur gjatë katër viteve. Tashmë ishin të interesuar të dinin se çdo të bëhej me ta  në katër vitet e ardhshme? Çfarë do t’u ofronte Partia Demokratike? Ata donin të dinin vetëm këtë gjë, dhe asgjë tjetër më shumë, sepse ato që ishin premtuar ishin mbajtur. Tashmë dëshiroj t’u pyes ju, “kur ka ndodhur në historinë e Shqipërisë që rrogat dhe pensionet të dyfishohen brena një mandate 4-vjeçar?”. “Kur ka ndodhur që shqiptarët të mos ankohen për mungesën e dritave?”. “Kur ka ndodhur që uji të shkojë fshat më fshat?”. “Kur ka ndodhur që ëndrra e të rinjve shqiptare të realizohet duke studiuar atje ku dëshirojnë?”. “Kur ka ndodhur që në të gjitha shkollat të ketë laboratorë të parametrave bashkëkohorë dhe internet?”. “Kur ka ndodhur që njerëzit të punësohen masivisht dhe njëherazi mijëra qytetarë të dalin nga varfëria?”. “Kur ka ndodhur që qytetari të dalë në rrugë dhe të mos ketë frikë nga bandat?”. “Kur ka ndodhur që vajza e tij  të niset për në shkollë dhe prindi të mos kishte frikë se do t’ia rrëmbente mafia?”. “Kur ka ndodhur që familja të jete e qetë kur dërgon djalin apo vajzën në shkollë?”. “Kur ka ndodhur që policia të jetë kaq e pranishme dhe kaq afër me qytetarët?”. “Kur ka ndodhur që të bëhen kaq vepra të mëdha siç është rruga Durrës Kukës?”., etj..., etj...  Sigurisht mund të ketë njerëz që edhe i kanë “harruar”, por atyre që u ka dhembur shpirti nuk mund t’i harrojnë dot kurrë. Të gjitha këto, nuk më duhet t’i them nëpër takime, sepse janë vetë qytetarët që m’i thonë ato.


A  nuk keni frikë se kundërshtari mund t’ua rrëmbejë elektoratin nga dita në ditë, sepse edhe fushata elektorale po bëhet gjithnjë e më e nxehtë?


Nëse kundërshtari politik do të kishte një alternativë të vërtetë nuk do të më vinte keq. Në fund të fundit fiton më i mirë. Ne do të na mbetej të nxirrnim vetëm konkluzionet, pas humbjes. Por e vërteta është  krejt ndryshe, alternativa e kundërshtarit po dështon nga njëra ditë te tjetra. Socialistët po i braktisin sheshet e Edi Ramës çdo ditë. Është kaq e vërtetë kjo sa  mund t’u them se deri më sot nuk më është dashur të bëjë ndonjë plan se ku do të shkoj sot dhe ku do të shkoj nesër. Nuk ma ka ndodhur ndonjëherë që të pyes veten nëse njerëzit do të më presin këtu apo do të me presin atje. Sinqerisht u them se kam qenë e mirëpritur kudo që kam shkuar. Ftesat për të qenë në një qytet, komunë apo në një fshat kanë qenë të përditshme. Puna ime është të jem atje ku më ftojnë. Më ka ndodhur që të jem brenda ditës në disa qendra komunash dhe në disa fshatra, por qoftë edhe për një rast të vetëm nuk kam preferuar qetësinë time. Jo sepse kam dëshiruar të jem deputete në parlamentin e ardhshëm, kurrsesi nuk e kam menduar këtë, por gjithnjë jam nisur nga besimi se me njerëzit duhet komunikuar, aq më shumë kur ata i besojnë alternativës tonë. Nëse ata besojnë te ne, atëherë ne kemi për detyrë t’u themi se çfarë do të bëjmë në katër vitet e tjera. Unë ndjej se ftesat na japin energji, na japin besim. Mbi të gjitha tashmë gjithkush është i ndërgjegjshëm që ne mund të përmirësojmë jetën e shqiptarëve. Ata na duan edhe ne i duam, sepse para së gjithash ne duam familjen tonë. Që nga këtu fillon gjithçka. “nëse ti nuk je i zoti t’i përkushtohesh familjes, atëherë aq më pak, ose kurrsesi nuk mund t’u përkushtohesh të tjerëve”. Filozofia e kundërt synon vetëm rrëmbimin e karriges, që në fund të fundit nuk do të kishte asnjë vlerë dhe mbi të gjitha do të sillte një zhgënjim të shpejtë të shqiptarëve që ne nuk do ta dëshironim kurrë. Ne nuk duam që të ndodhë kjo, sepse rruga që kemi nisur ka nevojë për projektet e nisura, të cilat duhen të përfundohen.


Ju keni qenë prefekte e qarkut Korçë, a mund të thuhet se kjo u ka dhënë epërsi mbi të tjerët?


S’kam asnjë arsye të them ndonjë gjë ndryshe  nga ajo çka po thoni ju në pyetjen tuaj. Pozicioni im i mëparshëm mund t’i sillte Partisë Demokratike shumë telashe, nëse unë nuk do të kisha qenë e përkushtuar në punën time ndaj njerëzve dhe nëse nuk do të kisha qenë roja e zbatimit të ligjit. Shihni se çfarë po ndodh sot. Shumë kryetar bashkie të ardhur nga Partia Socialiste, duke mos respektuar ligjin janë kthyer në problem për fushatën elektorale të Partisë Socialiste. Shoh që kandidatët e spektrit të majtë marrin pas edhe kryetarët e bashkive pa kuptuar se kanë marrë me vete “një minë me sahat” që shpërthen në çdo sekondë të ditës, sa herë që elektorati i shikon së bashku. Ju do të pyesni, “përse ndodh kështu?”. Përgjigjja ime sërish është e thjeshtë, kurrë në historinë e tyre socialistët nuk kanë mbetur të papërlyer që në ditët e para të marrjes së  pushtetit. Kur socialistët nuk janë zhytur në korrupsion dhe afera financiare? Kur socialistët kanë mundur të bëjnë realitet qoftë edhe një ëndërr të vetme të shqiptarëve? Kjo nuk ka ndodhur. Nuk do t’u jap shifra, sepse tashmë çdo shqiptar e di që investimet tona, në krahasim me ato të Partisë Socialiste  janë të pakrahasueshme


Çfarë u premtoni shqiptarëve në katër vitet e ardhshme?


Shkurtimisht do t’u thosha se ne u ofrojmë shqiptarëve besnikëri, sinqeritet, ndershmëri siguri, mirëqenie, miqësi, përmirësim të cilësisë së jetës, lëvizje të lirë, studime në universitete, punësim,  largim nga varfëria, dinjitet, familje të respektuar, familjen evropiane, ju sigurojmë të ardhmen. Do të jemi aty ku janë ata. Ne do të sjellim në katër vitet e ardhshme gjithçka që dëshirojnë shqiptarët. Premtimet i kemi realizuar. Ato që kërkojnë shqiptarët, ne do t’ua kthejmë në realitet. Aktualisht programi ynë është i njohur i detajuar, i publikuar, i shprehur në çdo takim elektoral. Ne i përmbahemi çdo premtimi. Shqiptarët na besojnë, ne do t’ua çojmë te dera e shtëpisë të realizuar çdo premtim. E theksoj edhe një herë nuk më pëlqen të them që do të fitojmë ne, sepse së bashku me ne fitojnë të gjithë shqiptarët. Për të gjitha këto arsye, në mos vetë Rama (s’ka rëndësi) le të dërgojë besnikët e tij për të parë më sytë e tyre se me kë është Shqipëria, e cila nuk ka ndërmend t’u kthehet eksperimenteve enveriane.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›