Legalizimet, 120 tapi për ndërtimet pa leje në Durrës
Përfitojnë shtesat e pallateve dhe banesat pa leje në trojet e veta
150 shtesa pallatesh janë pa leje prej vitit 1991
“ALUIZNI në Durrës ka rezultuar i suksesshëm pasi më në fund është arritur që të realizohen hipotekimet e para; është në proces mbushja e 120 tapive për të njëjtin numër banesash të ndërtuara pa leje, por ne kemi ndryshuar strategji lidhur me legalizimet e shtesave të pallateve dhe atyre që në trojet e veta kanë objekte pa leje”, – deklaroi për “standard” drejtori i ALUIZNI-t për Durrësin, Andi Lila. Sipas z. Lila, “ALUIZNI ka treguar kujdes pasi punon me tri kategori ndërtesash të ngritura pa leje në të cilat bëjnë pjesë shtesat e pallateve të ndërtuara para vitit 1990, katet pa leje në pallate të ndërtuara pas vitit 1991 si dhe banesat e ndërtuara pa leje, por në trojet e veta”. Për momentin banesat e ngritura pa leje në trojet e shtetit janë lënë jashtë procesit.
Ecuria e procesit
Në dy muajt e parë të këtij viti, ALUIZNI, dega Durrës, ka ndryshuar metodën e punës dhe ka arritur suksesin e parë pasi më në fund një kategori e atyre që kanë ndërtuar pa leje, ka pranuar që të paguajë detyrimet dhe të përfitojë tapitë. Sipas z. Lila: “Agjencia e Legalizimeve është treguar e kujdesshme dhe nuk ka dalë ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila është shprehur kundër ligjit të legalizimeve të banesave të ndërtuara pa leje në tokat e shtetit”. Por ajo ka ftuar në këtë proces tri kategori banesash të ndërtuara pa leje. Të tilla janë shtesat në pallatet e ndërtuara para vitit 1990, katet pa leje në pallatet pas vitit 1991 si dhe ato të ndërtuara pa leje në trojet e veta. Deri dje në këtë degë janë paraqitur 120 aplikues të cilët bëjnë pjesë në të tria këto kategori. Ata kanë shlyer detyrimet financiare në bazë të ligjit dhe tashti janë në pritje të marrjes së certifikatës së pronësisë. ALUIZNI ka dërguar punonjësit e tij, të cilët kanë marrë kontakte me këta banorë dhe i ka ftuar që të procedojnë për legalizimin e banesave në bazë të ligjit. Një pjesë ka qenë vetë e interesuar për këtë proces.
Statistika
Në bazë të aplikimeve rezulton se në Durrës janë ndërtuar 100 shtesa në pallatet e ndërtuara përpara vitit 1990 në të cilat janë strehuar rreth 140 familje. Janë evidentuar mbi 150 pallate pas vitit 1991 me kate mbi ato me leje ndërtimi në të cilat janë strehuar gati 300 familje si dhe janë pothuajse 600 banesa të ndërtuara pa leje në trojet e veta. Lila tha se “në këto kategori ndërtimesh pa leje është gjetur mirëkuptim edhe me pushtetin vendor i cili është i gatshëm që të kontribuojë ligjërisht për legalizimin e tyre”.