E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqet KLD, pranohet propozimi i ministrit Alibeaj për gjykatat e karrierës



Kruja dhe Kavaja, jo gjykata karriere, shpallen 14 vende vakante në 10 gjykata. Ngrihet një grup pune për projekt-vendimin lidhur me mbrojtjen e gjyqtarëve

Këshilli i Lartë i Drejtësisë tërhiqet nga një vendim i mëparshëm lidhur me propozimet e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për emërimin në punë të gjyqtarëve magjistratë, në dy gjykata, atë të Krujës dhe Kavajës, që më parë ishin konsideruar si gjykata karriere. Në mbledhjen e djeshme, e cila u drejtua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili është njëkohësisht edhe kreu i KLD-së, u pranua propozimi i ministrit të Drejtësisë dhe vendosi të përcaktojë 14 vende vakante pranë 7 gjykatave të rretheve gjyqësore, të cilat do të vihen në dispozicion të 10 magjistratëve, kandidatë për gjyqtarë. Mes këtyre gjykatave, në bazë të propozimit të ministrit Alibeaj, nuk do të cilësohen gjykata karriere ato të Kavajës e Krujës, duke u dhënë mundësinë magjistratëve të rinj të kenë mundësi për t’u emëruar aty. Sipas burimeve zyrtare, vendimmarrja e mësipërme u arrit pas një procesi të gjatë diskutimesh nga të gjithë anëtarët e këshillit, fokusuar mbi situatën aktuale ligjore dhe nevojat konkrete për emërimin e gjyqtarëve nga Shkolla e Magjistraturës pranë gjykatave të Shkallës së Parë. Sipas burimeve zyrtare të KLD-së, në vlerësim të plotë të të gjithë faktorëve të aktualitetit të sistemit gjyqësor dhe në ushtrim të kompetencave të tij ligjore, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi për këtë arsye revokimin e pjesshëm të vendimit nr. 216/3, datë 28.09.2007 të tij, duke hequr gjykatat e rrethit gjyqësor Kavajë dhe Krujë nga cilësimi si “gjykata të karrierës”. Vendet e lira të sipërcituara, sipas burimeve zyrtare, sipas një praktike tashmë të konsoliduar, do t’u komunikohen 10 kandidatëve për gjyqtarë nga Shkolla e Magjistraturës dhe preferencat e tyre mbi këto vende vakante do të merren në konsideratë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, përpara sesa propozimet konkrete për çdo kandidat, t’i paraqiten Presidentit të Republikës për emërimin e tyre përfundimtar. Po në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi diskutoi rëndësinë e projektvendimit të Këshillit të Ministrave “Për mbrojtjen e veçantë personale, familjare dhe pasurore të gjyqtarëve dhe sigurimit të jetës dhe pasurisë së tyre”, vendosi ngritjen e një grupi pune për të relatuar përpara këshillit mbi sugjerimet e nevojshme ndaj projekt-vendimit të mësipërm. Gjithashtu, pjesë e rendit të ditës ishte dhe shpallja publikisht e një vendi vakant pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, caktimi i anëtares së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Altina Xhoxhaj, në përbërje të Komisionit të Qendrës së Publikimeve Zyrtare, si dhe u procedua me delegimin e gjyqtarëve, mbi 111 kërkesa të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apeleve.

Vendet vakante

2 vende pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë

2 dy vende pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë

2 dy vende pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier

2 dy vende pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë

2 një vend pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë

2 një vend pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër

2 një vend pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›