Legalizimet, ALUIZNI i merr të gjitha kompetencat bashkive
Fabiola Çela
Të gjitha kompetencat për legalizimin e ndërtimeve informale tani i merr ALUIZNI. Duke qenë se njësitë e qeverisjes vendore nuk i kishin respektuar afatet e përcaktuara në ligj, atëherë qeveria vendosi që të gjitha këto kompetenca t’i kalojnë Agjencisë së Legalizimit.
Vendimi
Njësitë e qeverisjes vendore nuk kanë kryer procesin e evidentimit në terren të ndërtimeve informale dhe as përditësimin e gjendjes ndërtimore të tyre, ndërkohë që ky është një detyrim i përcaktuar në ligjin e legalizimeve. Sipas ligjit, afati ligjor ka qenë 20 ditë prej datës së vetdeklarimit të ndërtimit informal nga poseduesi. Sipas ligjit, zyrat e urbanistikës pranë njësive të qeverisjes vendore duhet të hartonin dhe të paraqisnin pranë këshillave të qarkut brenda 30 ditëve nga përfundimi i afatit të vetdeklarimit, i cili ka qenë më 15 nëntor të 2006-ës, raportin e gjendjes faktike për zonat dhe vendbanimet me ndërtime informate, si dhe argumentimin tekniko-ligjor të tyre. Njëkohësisht këto të fundit duhet të shqyrtonin dhe miratonin raportin e paraqitur brenda 30 ditëve nga data e dorëzimit të tij nga zyra e urbanistikës dhe t’ia përcillnin atë ALUIZNI-it. Aktualisht pranë drejtorive rajonale të ALUIZNI-it nuk është depozituar dokumentacioni tekniko-ligjor, detyrim ky i parashikuar në ligj edhe pse afatet ligjore janë shkelur plotësisht nga njësitë e qeverisjes vendore. Në ligj janë parashikuar procedurat dhe afatet në rastin e përgatitjes dhe paraqitjes nga zyrat e urbanistikës të raportit të gjendjes faktive dhe argumentimit tekniko-ligjor, për bllokbanimet dhe ndërtimet informale brenda apo ngjitur vijave kufizuese të ndërtimit. Në këtë rast shqyrtimi dhe miratimi i përkiste KRRT-së së bashkisë apo komunës dhe ai duhej të kryhej brenda 30 ditëve nga dorëzimi i raportit të gjendjes faktike. Pranë drejtorive rajonale të ALUIZNI-it nuk është depozituar asnjë vendimmarrje e këtyre njësive vendore. Për sa i përket bllokbanimeve, ndërtimeve informale të veçuara ose në territore të tjera, njësia e urbanistikës dhe KRRT-ja përkatëse duhet të kryenin depozitimin e gjendjes faktike, shqyrtimin dhe miratimin e argumentimit teknik brenda 6 muajve nga përfundimi i afatit të vetdeklarimit. Duke qenë se njësitë e qeverisjes vendore i kanë shkelur të gjitha afatet ligjore të parashikuara për kryerjen e procedurave të legalizimit të ndërtimeve informale qeveria vendosi dje që ALUIZNI do të kryejë të gjitha procedurat e evidentimit në terren dhe do të përgatisë raportin e gjendjes faktike dhe shqyrtimin për legalizim të ndërtimeve informale.