E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Më 27 qershor përfundon rruga Durrës-Kukës

 

Rruga Durrës-Kukës do të përfundojë më 27 qershor. Kështu është shprehur dje kreu i Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, gjatë një vizite në stendat e vendosura pranë godinës së Kuvendit të Shqipërisë me foto nga punimet në rrugën Durrës-Kukës, të cilat po kryhen nga kompania Bechtel Enka. Ministri Olldashi, duke e konsideruar këtë stendë si një “shkollë inxhenierie” ftoi edhe opozitën të vizitojë këtë rrugë. “Por, unë besoj që kjo ekspozitë lëvizëse ka dhe një vlerë tjetër, i jep mundësinë edhe opozitës, të paktën virtualisht ta përshkojë këtë rrugë, të vijnë ta shikojnë këtu meqenëse nuk kanë marrë kurrë mundimin ta shikojnë realisht, të shikojnë veprat e saj, detajet e saj që janë të pakrahasueshme me gjithçka tjetër që është bërë deri më sot në këtë vend”, deklaroi Olldashi. Sipas pedagogut të gjeografisë, Romeo Hanxhari, ekspozita është punuar nga një grup pedagogësh të universitetit. “Qëllimi është për të bërë të njohur për publikun atë që ndodh në këtë ngjarje kaq të madhe për vendin tonë në këtë vepër të rëndësishme, e cila nga ne që vijmë nga fakultete të ndryshme është konsideruar si një shkollë për standardet, qoftë për ndërtimin, qoftë për mjedisin, po ashtu edhe për propozionet e zhvillimit lokal dhe të zhvillimit kombëtar”, tha ai. Stenda, e cila përmban foto të punimeve të rrugës Durrës-Kukës është vendosur nga shoqëria civile, në bashkëpunim me pedagogë të Universitetit të Tiranës. Ndërkohë përgjatë një javë kjo ekspozitë do të lëvizë edhe në qytete të tjera të vendit, për t’u bërë të njohur të gjithë qytetarëve jo vetëm punimet në rrugë, por edhe standardet dhe rëndësinë e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›