E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, formular i ri për pagesën me bono

Afati i fundit, 12 qershor, pagesa deri në 70% Qytetarët duhet të plotësojnë formularin

Qytetarët që kanë ndërtim pa leje dhe janë në proces legalizimi, mund të plotësojnë formularin e ri për të paguar deri në 70 për qind të detyrimeve me bono privatizimi. Çdo zotërues i një ndërtimi pa leje duhet të plotësojë këtë formular pranë zyrave të legalizimeve, nëse dëshiron të paguajë me letra me vlerë. Afati i fundit, sipas ligjit, është data 12 qershor dhe qytetarët mund të paguajnë deri në 70 për qind me letra me vlerë. Pjesa tjetër paguhet me para në dorë. Ndryshimi i ligjit të legalizimeve që ndodhi në datën 4 shkurt nga Kuvendi, ka përcaktuar edhe 3 muaj të tjerë afat, të cilët fillojnë me hyrjen në fuqi të ligjit, që pritet të ndodhë brenda këtyre ditëve. Qytetarët duhet të paraqiten pranë zyrave të Agjencisë së Legalizimeve për të bërë një kërkesë me shkrim, ku të deklarojnë se dëshirojnë të paguajnë me bono privatizimi. Këto subjekte, për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të bonove të privatizimit, kanë të drejtë që brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 10219 Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje të ndryshuar, të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t, - thuhet në njoftimin zyrtar të Agjencisë së Legalizimeve. Më tej, saktësohet se poseduesit e objekteve informale, sipas përcaktimeve në ligjin nr. 10219, datë 4.2.2010 Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje të ndryshuar, mund të paraqesin kërkesat pranë drejtorive rajonale të ALUIZNI-t, me hyrjen e në fuqi të tij, për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi. Të gjithë të tjerët që kanë bërë pagesën me lekë në dorë dhe dua që të paguajnë me bono, qeveria do ti rimbursojë ata dhe për këtë pritet një vendim i posaçëm nga Këshilli i Ministrave.

Bonot e privatizimit

Parlamenti miratoi në datën 4 shkurt ligjin nr. 10219 Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje të ndryshuar. Ky ligj parashikon si formë alternative pagese, për parcelën ndërtimore të objektit informal bonot e privatizimit, krahas pagesës në lekë, në vlerë të plotë monetare. Zotëruesit e objekteve informale me funksion banimi apo të përzier, të kualifikuara për legalizim, me hyrjen në fuqi të ligjit, kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë, për pagesën e parcelës ndërtimore me bono privatizimi, sipas përcaktimeve të nenit 1 dhe 2 të ligjit nr. 10219. Bëjnë përjashtim nga ky rregull, objektet informale me destinacion social-ekonomik apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni dhe shtesat informale në objekte me leje. Përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit, ndahen sipas vendndodhjes së objektit informal dhe sipas sipërfaqes së parcelës që kalon në pronësi të poseduesit të ndërtimit informal. Për objektet pa leje në zona informale (jashtë vijës kufizuese të ndërtimit) për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² zotëruesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për pjesën e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, ky rregull nuk aplikohet. Për objektet informale, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit (vija e verdhë) për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50 për qind të vlerës me bono privatizimi. Ligji parashikon përfitimin e lehtësive të parashikuara në të, edhe për poseduesit e objekteve informale, që kanë kryer pagesa të mëparshme, të parcelës ndërtimore të objektit.

Anglo-Adriatika, rishpërndahen bonot e privatizimit

Ministria e Financave ka publikuar udhëzimin e posaçëm ku ka përcaktuar procedurën e shpërndarjes së bonove të privatizimit individëve. Udhëzimi u miratua pas hyrjes në fuqi të ligjit Për sipërmarrjet e investimeve kolektive që u miratua në seancën e fundit parlamentare. Në këtë udhëzim përcaktohen procedura e aplikimit për 45 mijë familjet për tërheqjen e bonove të privatizimit që kanë qenë grumbulluar tek Anglo-Adriatika. Sipas udhëzimit, brenda muajit shtator të këtij viti të gjitha bonot do të shpërndahen. Ato më pas mund të përdoren në procesin e privatizimeve si dhe të legalizimeve të ndërtimeve informale. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha bonot e privatizimit të investuara në fondet e investimit të krijuara me ligjin nr. 7979, datë 26.07.1995, Për fondet e investimeve, u rishpërndahen individëve. Ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes, - thuhet në ligjin e miratuar në Kuvend. Bëhet fjalë për të gjitha bonot e privatizimit, të cilat janë investuar nga qytetarët në kompani që dështuan si Anglo-Adriatika. Të gjitha bonot do të kthehen me një procedurë që Ministria e Financave do ta përcaktojë. Çdo qytetar që disponon dokumentin që ka dorëzuar letrat e tij me vlerë tek Anglo-Adriatika, mund ta dorëzojë dhe të përfitojë sasinë e bonove që ai ka investuar. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, ato kapin shifrën e 64 miliardë lekëve, të cilat janë shpërndarë para vitit 1997. Njëkohësisht me miratimin e projektligjit të vlerësimit të letrave me vlerë të ish-të përndjekurve politikë, rreth 12.5 miliardë lekë letra me vlerë pritet të gjallërohen. Tashmë me miratimin e këtij projektligji nga Kuvendi i ri, bonot e privatizimit që nuk patën fatin e duhur edhe në kompani të tilla se Anglo-Adriatika, do të rivlerësohen. Ligji i ri parashikon rigjallërimin e tregut të letrave me vlerë si ato të ish-të përndjekurve, bonot e privatizimit, lëshimin e obligacioneve nga kompanitë private, si dhe shitblerja e aksioneve në bursë. Parlamenti miratoi një vit më parë një ligj të ri Për titujt, që ka si objekt të bëjë aktivë titujt tregtarë që qarkullojnë në tregun aktual. Sipas specialistëve, ai do të përfshijë të gjitha stoqet dhe fondet e firmave në bursë. Sipas tyre, në këtë rast bëhet fjalë për letra me vlerë, të cilat, përmes këtij ligji të ri, do ti nënshtrohen një skeme të re procedimi. Në atë ligj nuk u përfshinë letrat me vlerë të privatizimit, pikërisht ato që janë shpërndarë rreth 12 vjet më parë. Projektligji që kaloi një javë më parë në qeveri dhe udhëzimi i Financave, do të hapë këtë rrugë.

Sipërfaqet që paguhen me bono privatizimi

Për objektet pa leje në zona informale (jashtë vijës kufizuese të ndërtimit) për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi.

Për pjesën e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, ky rregull nuk aplikohet.

Për objektet informale, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit (vija e verdhë) për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi.

Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50 % të vlerës me bono privatizimi.

Bëjnë përjashtim objektet informale me destinacion social-ekonomik apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni dhe shtesat informale në objekte

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›