E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e ndryshimeve, në Qeveri

Kryeministri Hashim Thaçi pritet që gjatë këtyre ditëve t’i bëjë publike ndryshimet në Kabinetin e tij, të paralajmëruar qysh më 19 nëntor të vitit të kaluar, kur koalicioni PDK-LDK ishte vënë seriozisht në pikëpyetje.

Zyrtarë të lartë qeveritarë kanë thënë se lista e ndryshimeve të ministrave është duke u diskutuar mes partnerëve të koalicionit, me synimin që çështja e riformatizimit të mbyllet brenda kësaj jave.

Burime të Expressit kanë pohuar se Nekibe Kelmendi (Ministre e Drejtësisë), Idriz Vehapi (Ministër i Bujqësisë), Alush Gashi (Ministër i Shëndetësisë) dhe Nenad Rasic (Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale) mund të largohen nga Qeveria.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, po ashtu, planifikohet të shkarkohet nga përgjegjësia që mban aktualisht, por, ndryshe nga ministrat e tjerë, ai pritet të mbetet në Qeveri.

Pajaziti mund të emërohet Zëvendësministër i Integrimeve, një ministri kjo që do të themelohet ditëve të ardhshme.

“Aktualisht për Ministër të Punëve të Brendshme përmendet Hajredin Kuçi, i cili njëherësh do ta mbante edhe postin e Zëvendëskryeministrit. Mirëpo nuk dihet nëse ai do ta pranojë këtë funksion”, ka thënë një burim i Expressit.

Riformatizimi nuk ka qenë asnjëherë temë në kryesitë e partive politike që përbëjnë Qeverinë e Kosovës, PDK dhe LDK.

Gjithçka është zhvilluar në takimet konfidenciale që i ka zhvilluar Kryeministri Thaçi me Presidentin Sejdiu.
Kush do ta zëvendësojë Nekibe Kelmendin dhe Alush Gashin?

Në Qeveri përmendet emri i Nënkryetarit të LDK’së, Lutfi Haziri, por pa saktësuar se cilin dikaster pritet ta marrë ai.
Por, Haziri nuk dëshiron të flasë rreth kësaj çështjeje.

Ai thotë se kjo temë nuk është diskutuat asnjëherë në LDK.

“Mirëpo, mendoj se janë pjekur kushtet për ta vlerësuar punën e ministrave”, ka thënë Haziri, për Express, të dielën.

“Kriteret duhet me qenë mbi bazë të punës, performancës së treguar dhe nevojës për rritjen e cilësisë së qeverisjes në vend”, ka shtuar ai.

Një prej befasive më të mëdha të procesit të riformatizimit duket se është inkuadrimi i Grupit Parlamentar për Integrim, një bashkim ky i shtatë deputetëve nga komunitetet minoritare të vendit.

“Grupi për Integrim pritet ta marrë Ministrinë e Bujqësisë. Ndërkaq, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do t’i kalojë PDK’së”, ka treguar një burim i Expressit.

Aktualisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale udhëhiqet nga Nenad Rasic, i cili është pjesë e Partisë së Pavarur Liberale, parti kjo që udhëheq edhe Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›