E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, në 90% të dosjeve po kryhen veprime

25/05/2009  Në proces 4.800 dosje, 650 gati në përfundim

KORÇE- Gjithkush që ka aplikuar pranë Drejtorisë rajonale të Legalizimeve (ALUIZNI-t) për qarkun e Korçës dhe synon të mos jetë i vonuar në marrjen e certifikatës së pronësisë mbi objektin apo banesën që kërkon të privatizojë, tashmë i duhet të paraqitet në zyrat e kësaj drejtorie, me qëllim për të paguar tarifën e përcaktuar sipas ligjit. Një veprim i tillë do të nxiste kryerjen e veprimeve mbi ato dosje ku aplikantët kanë shlyer detyrimet e tyre. Procesi i realizuar nga kjo drejtori, që nga dita e parë e fillimit të punës së saj e deri më sot, ka qenë transparent, ku herë pas herë janë bërë të njohura në media edhe listat emërore, ku kanë qenë të përfshira dosjet në proces dhe ato mbi të cilat është kryer dixhitalizimi. Ndërkohë janë bërë të njohura edhe dosjet e personave që nuk kanë shlyer detyrimet. Gjithsesi, burime pranë kësaj drejtorie bënë të ditur se, numri gjithsej i aplikimeve të depozituara pranë saj (ALUIZNI-t) shkon në 9.600 dosje, ku deri tani është punuar me 4.800 dosje, ndërsa në 4.500 prej tyre ka përfunduar dixhitalizimi. Ndërkaq, vijojnë të njëjtat burime, po punohet me të njëjtat ritme edhe me pjesën tjetër të dosjeve, çka do të thotë se gati në 90% të numrit total po kryhen veprime. Pagesa e tarifës do ta përshpejtonte edhe më tej punën e punonjësve të kësaj zyre. Megjithatë, burimet në fjalë pohojnë se, interesi i qytetarëve ka qenë mjaft i lartë dhe vazhdon të mbetet e tillë. Nëse deri më sot janë shpërndarë 50 tapi, aktualisht 50 dosje të tjera i kanë kaluar Drejtorisë së përgjithshme të Legalizimeve për marrjen e lejes së legalizimit. Ndërkohë numri i dosjeve të përfunduara rritet nga java në javë, theksojnë burimet e cituara më sipër. Megjithatë, burimet zyrtare kanë theksuar faktin se aktualisht po punohet për mbylljen e veprimeve me 650 dosje, çka do të thotë se numri i personave që do të legalizohen në muajt në vijim do të përfshijë mjaft zona, të qyteteve të qarkut Korçë, por edhe të shumë fshatrave të këtij rajoni. Përfundimisht mund të thuhet se procesi i legalizimeve ka mbërritur në një fazë të tillë, ku qytetarët që kanë aplikuar për legalizim objektesh duhet të bashkëpunojnë me punonjësit e zyrave të kësaj drejtorie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›