E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk i sekuestrojmë dot pasuritë e kriminelëve”

25/05/2009  Reagon gjykata: Ka mungesë legjistacioni, të pandehurit e kalojnë pasurinë tek të afërmit

TIRANË- Që nga viti 2004, kur u krijua edhe Gjykata për Krime të Rënda, u kërkua me çdo kusht zbatimi i ligjit për ata persona të cilët kryejnë veprimtari të paligjshme dhe nëpërmjet saj grumbullojnë pasuri të kësaj kategorie. Por përpara këtij fenomeni, drejtësia deri në këto momente duket se është pak e zbehtë. Me gjithë përpjekjet e organit procedues për të vënë në sekuestro pasuritë e shumë personave të cilët janë proçeduar për vepra të rënda penale, kryesisht trafiqe, këto duket se janë mbetur nëpër letra. Deri tani nga burime brenda gjykatës thuhet se për të verifikuar pasuritë e paligjshme të një personi i cili është apo jo në procedim penal, duhet një ligj i veçantë. Gjyqtarët janë të vetëdijshëm se pasuritë që janë të rregjistruara sekuestrohen pa mëdyshje nga prokuroria e më pas ky sekuestrim vuloset nga gjykata. Por problemi për gjykatën qëndron tek ajo lloj pasurie e cila nuk është e rregjistruar dhe më keq akoma, ajo fshihet tek persona të tjerë. Për gjykatën ligji i cili bën sekuestrimin e pasurive të personave që kapen, ekziston. Por gjyqtarët shprehen se “këta persona nuk kanë vetëm pasurinë e “ligjshme” të tyre të cilën e kanë hedhur në llogari bankare, apo e kanë shëndërruar në pasuri të paluajtshme ose të luajtshme që në këtë rast janë makinat”. Edhe vetë organi proceues disa herë është ndeshur me vështirësi të shumta para gjykatës për të sekuestruar pasuritë e bosëve të drogës ose të prostitucionit. Janë raste të rralla ato kur pasurira e këtyre personave ka përfunduar në favor të shtetit. Pasi në të shumtën e rasteve kjo pasuri ka kaluar tek personat e tjerë të familjes. Vetëm një vit më parë u krijua ligji, i cili prek edhe familjarët e personave të dyshuar. Në sitë do të kalojnë të gjithë. Ndërkohë që gjyqtarë të ndryshëm shprehen se e kanë jo të lehtë të vendosin për sekuestron, pasi edhe personi i cili akuzohet ka të drejtën të mbrohet dhe në disa raste paraqet prova bindëse. Megjithatë pasuria e tyre sipas gjyqtarëve mbahet nën sekuestro konservative deri në momentin kur gjykata shpall vendimin dhe e deklaron fajtor. Por përsëri për gjykatën kjo nuk mjafton. Deri tani janë kryer disa sekuestro, por nuk kanë përfunduar në favor të shtetit, pasi për një pjesë është dhënë pafajsi dhe sekuestro është hequr. Rast flagrant për gjykatën janë edhe makinat e grabitura dhe kalimi i kësaj pjesë të pasurisë në emër të familjarëve të tjerë. Gjykata në kërkesat e saj të shumta, i drejtohet akuzës e cila sipas saj duhet të bëj kërkime të zgjeruara për pasurinë e personave që proçedon. Sipas gjyqtarëve, prokurorat ndonjëherë mjaftohen me llogaritë bankare dhe me pasuritë e rregjistruara në hipotekë, duke mos u futur më thellë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›