E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimi i objekteve në kryeqytet kërkon grumbull dokumentesh

Prishtinë 31 gusht – Për t’u legalizuar një ndërtim pa leje, aplikuesit do t’i duhet ta këtë pronën në emrin e tij. Kësaj dëshmie duhet bashkëngjitur edhe dokumentacionin e vendbanimit, dëshminë për gjerësinë dhe madhësinë e ndërtimit, fotografitë përkatëse, dokumentet që flasin për fizibilitetin teknik të objektit, dëshminë për ekzistimin e infrastrukturës së nevojshme urbanistike, si dhe një dëshmi që ndërtimi nuk cenon privatësinë e fqinjësore. Të gjitha këtyre duhet bashkangjitur edhe dëshminë për numrin e anëtarëve të familjes, si dhe dokumentacionin përkatës për shlyerjen e obligimeve financiare ndaj Komunës. Këto janë minimumi i dokumentacionit që kërkohen gjatë aplikimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje, e që janë të përcaktuara në manualin për legalizimin e objekteve pa leje. Ky manual, siç shkruan sot Koha Ditore,  i shërben Komunës si pikë referimi për të menaxhuar procesin tashmë të nisur për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Fillimi i legalizimit të një objekti pa leje do të shoqërohet me dalje në terren të një komisioni komunal i cili duhet t’i bëjë verifikimet e nevojshme në lidhje me një sërë kushtesh të tjera.
“Duhet konstatuar që objekti ka dalje të nevojshme në rrugët publike, përmes të cilave mund të intervenohet në emergjenca eventuale. Duhet konstatuar që distanca mes objekteve është e përshtatshme që mos të rrezikohen njëra nga tjera nga përhapja eventuale e zjarrit. Nuk lejohet që ndërtimi i bërë afër pronës së fqinjit të këtë dritare, dyer, ballkone apo hapje të tjera të ngjashme të kthyera nga prona e fqinjit, përveç dritareve të banjave dhe atyre të shkallëve. Po ashtu nuk lejohet që streha e kulmit të tejkalojë murin kufitar të pronës.
Këto kritere duhet t’i verifikojë komisioni komunal, pas daljes në terren, thotë manuali.
Më tej, precizohet që dritaret, dyert dhe ballkonet e kthyera nga prona e fqinjit mund të lejohen vetëm nëse ekziston një dëshmi e shkruar që fqinji është pajtuar me një fakt të tillë. Përveç kësaj, pronari i cili aplikon për legalizim duhet të pajiset me një dëshmi, që të sigurojë përmes një inxhinieri të licencuar, i cili duhet të bëjë konstatimin e konstruktit dhe qëndrueshmërisë se objektit të ndërtuar. Kjo matje bëhet në radhë të parë për qëndrueshmërinë ndaj tërmeteve dhe fatkeqësive të tjera natyrore. Manuali për legalizime nuk i ndëshkon shprehimisht të gjitha objektet e ndërtuara në pronë komunale apo në një pjesë të kësaj prone. “Shprehimisht nuk lejohet legalizimi në vendbanimet të cilat janë zona të veçanta dhe të mbrojtura si qendra historike, kulturore, si dhe në zona të tjera ku parashihet realizimi i projekteve kapitale publike. Në rastet e tjera vendos Komuna se si dëshiron t’u qaset ndërtimeve të bëra në tokën apo pronën komunale”, thuhet në manualin e legalizimeve. Sipas këtij dokumenti, objektet kategorizohen në dy lloje, përkatësisht ndërtimet të cilat janë nën 450 metra katrorë dhe ato që janë mbi këtë shifër. Në të dyja rastet kërkohen kritere dhe dokumentacion i njëjtë për legalizim. Manuali parasheh gjithashtu detyrimin për t’u futur në proces të legalizimeve.
“Ne rast që hezitohet ose kundërshtohet legalizimi i një objekti, atëherë Komuna duhet të ndërmarrë masa që ta detyrojë palën për ta bërë këtë”, thuhet në manualin e legalizimeve dhe precizohet që objektet të cilat pjesërisht i përmbushin standardet e legalizimeve duhet t’i nënshtrohen procesit të modifikimit, ndërsa objektet që nuk i plotësojnë kushtet për legalizim, duhet ndjekur procedurë tjetër. 
Alpbah

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›