E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis java e sigurisë në trafik

Prishtinë, 31 gusht - Me fillimin e vitit të ri shkollor Policia e Kosovës do të implementojë fushatën “Java e sigurisë në trafik”, aktivitet ky i cili për herë të parë këtë vit realizohet edhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ka për qëllim ngritjen e sigurisë në trafik. Në një konferencë për media të martën, ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi ka thënë se siguria në trafikun rrugor është sfidë, ku kërkohet aktivitet dhe kontroll më i shtuar, me qëllim të përmirësimit të situatës në këtë fushë, raporton TV21. “Në aspektin statistikor qëndrojmë më mirë se në vitin 2009 në aksidentet me fatalitet, po numrat nuk duhet të luajnë ndonjë rol këtu, sepse flitet për jetën e njerëzve. Ne kemi deri më tani mbi 90 raste të vdekjeve në trafikun rrugor. Edhe vetëm një jetë e humbur në trafik do të ishte shumë, vetëdijesimit dhe parandalimit duhet t’i përkushtohemi veçanërisht. Tashmë kemi objektiva të identifikuara për ngritjen e vetëdijes nëpër shkolla dhe deri te vozitësit për rrezikun që iu kanoset këmbësorëve veçanërisht fëmijëve afër objekteve shkollore”, ka thënë ministri Rexhepi. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, ka folur për punën e policisë për uljen e numrit të aksidenteve në trafik, për çka policia kohë më parë ka angazhuar patrullime me vetura civile. “Ne jemi orientuar në dy alternativa. E para është puna jonë e përditshme me shtimin e numrit të patrullave në versionin më të ri, patrullat me veturat civile, me radar më shumë në rrugë, por në alternativën e dytë, është më afatgjate, do të përpiqemi që të japim kontributin tonë edhe në sensibilizimin e shoferëve, madje edhe të këmbësorëve që në një të ardhme jo shumë të afërt të krijohet një kulturë pak më ndryshe në trafik”, ka thënë Selimi. Duke folur rreth aktiviteteve gjatë javës së sigurisë, ndihmësdrejtori i PK-së, Shpend Maxhuni, ka thënë se për herë të parë një aktivitet i tillë realizohet me ndihmën e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. “Java e sigurisë në trafik parasheh disa aktivitete që do të zhvillohen në vazhdimësi. Duke filluar nga dita e sotit dhe konsistojnë në disa elemente qenësore. Ato janë, identifikimi i kundërvajtjeve nga ngasësit e automjeteve të cilët nuk respektojnë rregullat e trafikut siç janë, tejkalimi i shpejtësisë e sidomos në afërsi të shkollave”, është shprehur Maxhuni.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›