Në Pozheran të Vitisë u varros Sinan Hasani

Pozheran, 31 gusht - Në Pozheran të Vitisë, të martën është varrosur ish politikani komunist dhe shkrimtari Sinan Hasani, i cili pas një sëmundje të rëndë vdiq të dielën në një spital të Beogradit. Ish kryetarit të kryesisë së federatës së ish Jugosllavisë, nderimet e fundit ia bënë familjarë, miq dhe bashkëfshatarë të tij. Ai u varros me arkivolin e mbështjellë me flamur kombëtar shqiptar dhe me një ceremoni fetare islame. Në fjalimin mortor prof.dr. Daut Bislimi, ka thënë se Sinan Hasani ishte një nga figurat më të shquara si politike ashtu edhe artistike e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, pasi ai me kontributin e tij si në politik ashtu edhe në letërsi u angazhua të ruaj identitetin kombëtar. Ai tha se “pa marr parsysh se Hasani jetoi larg vendlindjes ka lënë amanetin që ta varrosin në fshatin e lindjes dhe këtë amanet sot po ja plotësojnë familjarët dhe miqët e tij”. Ndërsa, Kaqusha Jashari, e vetmja përfaqësuese e skenës momentale politike që morri pjesë në varrimin e Sinan Hasanit, ka thënë se Hasani ka qenë një nga figurat politike në ish Jugosllavi dhe dhe i ka takuar gjeneratës që ka punuar në ruajtjen e identitetit kombëtar. "Nuk ishte e lehtë që të punohej në ruajtjen e identitetit kombëtar në atë kohë kur veproi Sinan Hasani”, është shprehur Jashari. Ajo ka thënë se për punën e këtij politikani dhe politikanëve të tjerë që vepruan në kohën e Sinan Hasanit është mirë që të merren historianët pa ndikime politike edhe atë në një kohë më të vonshme në mënyrë që ajo të paraqitet sa më reale. Sinan Hasani ishte lindur më 14 maj 1922 në Pozheran ku kreu edhe shkollën fillore kurse medresën në Shkup. Në vitin 1942 u angazhua në luftën antifashiste ku në vitin 1944 u internua në Vjenë, kurse pas Luftës nacional çlirimtare ushtroi shumë funksione si në komunën e Vitisë ashtu edhe në nivel qendror dhe ne federatën e ish Jugosllavisë, ku në vitin 1986 ishte edhe kryetar i kryesisë së kësaj federate. Pos si politikan Hasani ishte i njohur si shkrimtar dhe ka shkruar tetë romane, ndër ta romanin "Era e Lisi" i cili pos në gjuhën shqipe është përkthyer edhe në gjuhët e tjera dhe është ekranizuar. Ibrahim Sefedini