E Diel, 1 Nëntor 2026

Legjenda Shumi shkel pistën: “Më janë rizgjuar shqisat”

Autori i Lajmit: RedaksiaSpanjë - Me ngadalë po i afrohet kabinës së njëvendëshes së Formulës 1. Muaj më parë zhvilloi një mal me gara me makinat Kart, tani po teston një makinë GP2 në Jerez: Mikael Shumakeri, si gjithmonë, nuk do të lërë asgjë në duar të fatit. Piloti gjerman filloi dje një test treditor mbi një makinë që i përket një kategorie më poshtë se ajo e Formulës 1. Sulmin për Botërorin 2010 Shumi e filloi dje në orën 9.07 të mëngjesit. 7 herë kampioni i Botës në Formula 1 ka ndër mend që me rikthimin e tij me një njëvendëshe Mercedes GP të habisë botën. 41-vjeçari përpara testeve zyrtare (ato do ti zhvillojë mbi një njëvendëshe të Formulës 1) kërkon që të zhvillojë sa më shumë kilometra, pasi vetëm kështu do të mund të rikthejë formën më të mirë. Dje në cirkuitin e Jerez de la Frontera (Spanjë) Shumakeri gjeti një kohë (qielli ishte i mbuluar nga retë dhe temperatura ishte 13 gradë) jo shumë të përshtatshme për të kryer prova. Pas pesë xhirove të para Shumi u kthye në boks. Në total piloti gjerman, që ngiste një njëvendëshe Dallara-Renault, kreu 51 xhiro. Shumi zhvilloi testin e parë në qetësi absolute, pasi në pistë nuk u lejuan gazetarët dhe tifozët. “Shqisat e mia po rizgjohen, – tha piloti gjerman. Dita e sotme ishte pozitive, pas shumë kohësh munda që të drejtoj një makinë që është shumë e përafërt me një veturë të Formulës 1. Mendoj se ia vlejti, edhe pse kushtet atmosferike nuk ishin të duhura për zhvilluar teste të tilla”. Shumi ka në dispozicion edhe dy ditë të tjera provash. Testet zyrtare të Formulës 1 do të zhvillohen nga data 1-3 shkurt. Në cirkuitin e Valencias Shumakeri do të rikthehet zyrtarisht, pas një pushimi që zgjati plot tre vjet, në Formula 1. Kësaj radhe piloti gjerman nuk do të drejtojë më një Ferrari (makinë me të cilën fitoi pesë Botërorë), por do të drejtojë një njëvendëshe Mercedes GP. Piloti gjerman me testet që do të zhvillojë në Jerez fillon të përgatitet për rikthimin e madh, duke mos shkelur rregulloren e FIA-s (e cila ka saktësuar që një pilot do të fillojë testimet me njëvendëshe të Formulës 1 vetëm në fillim të 1 shkurtit).
Briatore kërkon 30 milionë euro
Pas anulimit të vendimit që dha FIA për Flavio Briatoren, ky i fundit hidhet në kundërsulm duke kërkuar dëmshpërblim. Kjo kërkesë lidhet me prishjen e kontratave manaxheriale me pilotët Alonso e Kovalainen si dhe me cenimin e imazhit. Avokatët po përgatisin dokumentacionin dhe shuma që ata mund të kërkojnë është rreth 30 milionë euro. Briatore do ta çojë çështjen në apelin e Gjykatës së Lartë të Parisit. Ndërkohë, FIA vazhdon të kundërshtojë vendimin e kësaj gjykate, duke theksuar se është marrë pa asnjë lloj konsultimi me Këshillin Botëror të kësaj federate.
Mungesa
Në testet zyrtare të Formulës do të mungojë makina e Red Bull-it. Skuderia austriake ka vendosur që të zbresë në pistë me makinën e re vetëm në testet e dyta zyrtare që do të zhvillohen në Jerez de la Frontera nga data 10-13 shkurt. “Ashtu si më 2009, kemi vendosur që të zbresim në pistë në testet e dyta zyrtare”,- deklaroi, për britaniken Autosport, Christian Horner, përgjegjësi i skuderisë Red Bull.
Ky lajm është publikuar: 13/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›