“Tokat në përdorim”, Topi dekreton ligjin
Autori i Lajmit: Redaksia
Presidenti Bamir Topi ka dekretuar dje ligjin për dhënien në pronësi të tokës bujqësore në zonat bregdetare të cilat, deri më tani kanë qenë në përdorim. “Në mbështetje të neneve 84, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës, dekretoj shpalljen e ligjit nr. 10 208, datë 23.12.2009 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore””, - thuhet në vendimin e kreut të Shtetit. Po dje Topi ka dekretuar dhe ligjin nr. 10 207, datë 23.12.2009 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Të dy këto ligje janë miratuar në seancën e fundit plenare me 74 vota pro. Në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” përcaktohet se AKKP-ja duhet të shqyrtojë brenda dhjetorit të vitit 2011 rreth 8 mijë kërkesat e mbetura pezull për njohje, kthim apo kompensim prone. Ndërsa ligji “Për kalimin në pronësi pa shpërblim, të tokës bujqësore” parashikon dhënien e tokës bujqësore të banorëve, që e kanë pasur më përpara në përdorim. Për këtë do të përdoret skema e kompensimit në tokën deri në 750 metra/katrorë. Nga kjo preken banorët e zonave të Orikumit dhe të zonës së Ksamilit, apo të zonave të tjera që kanë marrë sipërfaqe në përdorim deri në 1500 metra/katrorë, ajo do tju merret, duke i kompensuar në tokë me një sipërfaqe deri në 750 metra/katrorë, ndërsa përmasa minimale e përfitimit është 300 metra/katrorë. Por ky ligj është kundërshtuar fort nga opozita e cila e ka konsideruar atë të paligjshëm. Madje PS i ka bërë thirrje Presidentit Topi që të mos e dekretonte ligjin ndërsa ka paralajmëruar se do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese. Po dje Topi ka miratuar dhe ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe “Për një shtesë në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat”, të ndryshuar.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2010