E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjenda e pianistit



Monodrama “Legjenda e pianistit” me regji dhe interpretimin e Dritan Boriçit është shpallur fituese e çmimit “Special” në Festivalin Ndërkombëtar “Monoakt” në Kosovë. Pak ditë më parë, aktori kthehet në Tiranë, ku dhe tregon eksperiencën e tij më të re. Sepse me këtë synim kishte konkurruar përballë shfaqjeve të huaja, të kryesonte. Ishte skeptik në gjykimin e një jurie shqiptare. Kështu aktori, në këtë rast edhe regjisori i shfaqjes, e nënvizon këtë fakt. Nuk ka besim tek vendimet e personaliteteve që u besohet një vendim profesional, ku shpesh abuzohet, sipas aktorit. Për këtë ishte i sigurt, që në këtë konkurs askush nuk do të hidhte baltë mbi nivelin profesional të pjesëmarrësve, sido që të ishte ai. Në të njëjtën pjesë ka luajtur edhe pianisti Genti Rushi, që bashkë me aktorin Dritan Boriçi deleguan përmes fjalës dhe tingullit, për të treguar më së miri legjendën e një pianisti në mes të oqeanit.

Intervistoi: Suela Furriku

Shfaqja “Legjenda e pianistit”, me regji dhe aktrimin tuaj është shpallur fituese e çmimit special në Festivalin Ndërkombëtar “Monoakt” në Kosovë. Si ndiheni?

Ndihem pak i lodhur, por e ndjej që është çmimi më i bukur që kam marrë deri tani. Është diçka që e kam dashur shumë dhe për këtë kjo është një pjesë që është realizuar me shumë dashuri, si nga unë, ashtu edhe nga Genti Rushi e Saimir Ahmeti, menaxhuesi i shfaqjes. Megjithatë, ndihem shumë mirë. Ky është çmimi i parë ndërkombëtar që arrij të fitoj. Është bukur të vlerësohesh me çmime të tilla.

Juria na vlerësoi me çmimin special, që do të thotë se ne kemi realizuar më së miri të gjithë komponentët e shfaqjes.

E prisnit këtë çmim?

E dëshiroja shumë këtë çmim dhe interpretova pikërisht për ta marrë atë. Unë në çdo rast që konkurroj, shkoj me mendimin për të marrë një çmim. Në natën finale ne kemi konkurruar të fundit dhe ka qenë me të vërtetë një natë e Shqipërisë.

Si ndikojnë çmime të kësaj natyre tek një artist? Në këtë rast, ai përfiton më tepër në aspektin financiar, apo famë?

Çmime të tilla nuk kanë të bëjnë as me famën, as me mbështetjen financiare. Është njësoj siç një fëmije i vë një emër. Sikur një fëmijë që sapo ka lindur, i dedikon emrin që të pëlqen më së shumti. Prandaj, e them me bindje se nuk ka lidhje as me famë, as para, apo diçka tjetër e ngjashme. Në Shqipëri fama nuk ka ndonjë farë rëndësie. “Legjenda e pianistit” ka qenë një pjesë që e kam zgjedhur vetë dhe e kam dashur shumë për ta interpretuar. Zgjodha Genti Rushin, pianistin që luan gjatë shfaqjes, i cili është pa dyshim muzikanti më i mirë i muzikës “Jazz” që ka Shqipëria. Vlerësimi erdhi nga një juri ndërkombëtare dhe ka qenë një çmim për të cilin nuk përziheshin shumë duart e shqiptarëve. Në krye të kësaj jurie vendoste një nga personalitete më të njohura të monodramës, Nina Mazur, që është zëvendës-sekretare e seksionit të teatrit dhe dancit në UNESCO. Ajo është personaliteti që ka themeluar shumë festivale si në Shqipëri, jashtë vendit dhe për herë të parë edhe këtë festival në Kosovë, në të cilin unë mora pjesë dhe arrita të fitoja çmimin special. Veç kësaj, vlerësimi erdhi edhe nga një dramaturge zvicerane, kryetarja e dramaturgëve të gjithë gjermanëve në Zvicër, përfaqësues nga Maqedonia dhe Kosova.

Më bëri përshtypje mënyra se si i perceptoni vendimet që vijnë nga personalitete shqiptare. Ndiheshit të sigurt në këtë festival që “nuk përziheshin duart e shqiptarëve” në vlerësim? Pse e thoni këtë?

Le të mos tregohemi hipokrit. Në Shqipëri pothuajse dihet gjithçka. Në çdo aktivitet shqiptar po të shohim janë të njëjtat dekorata, dihet se kush do të fitoj një çmim ende pa filluar interpretimin etj. Për momentin nuk ka një etalon vlerash, në mënyrë që të krijojmë një lloj besueshmërie në pritje të mirësive të ndryshme që mund të ndodhin.

Me pak fjalë, sipas jush, sado që të punosh, meritat humbasin nga vlerësuesit. Përse vazhdoni të luani sërish në skenë? Ajo çka ju sillni duhet të vlerësohet, apo jo?

Për mua nuk kanë shumë rëndësi çmimet që mund të marr nëpër evenimente të ndryshme. Kryesorja në këtë rast është të luash dhe të dish të interpretosh. Ndërkohë që nga ana tjetër nuk ka rëndësi nëse juria e vlerëson ose jo. Për mua, vlerësimin më të madh e marr nga publiku. Duartrokitjet e tij zënë një vend të konsiderueshëm tek çdo artist. Pastaj, se si i krijohen aktorët marrëdhëniet me njëri-tjetrin, për të formuar disa klane mediokre, kjo është diçka tjetër.

Cilët ishin konkurrentët tuaj në këtë festival?

Kishte konkurrentë nga Maqedonia, Italia, Kosova, Gjermania, Rumania, Shqipëria. Duhet kuptuar diçka. Në festivalet e monodramës marrin pjesë vetëm aktorët elitë. Aty një aktor duhet t’i bëjë të gjitha, pasi është gjatë gjithë kohën nën vëzhgim. Ka shumë aktorë, të cilët zhvillimin e ngjarjes teatrore ia pasojnë njëri-tjetrit. Aktrimi ishte në shkallën më të lartë dhe më besoni që konkurrenca ishte shumë e fortë. Janë aktorë të kalibrit prej të cilëve kam mësuar shumë.

Thatë që keni mësuar shumë prej aktorëve të tjerë konkurrues. Çfarë morët prej tyre?

Kam kuptuar se çfarë duhet lënë pas, çfarë duhet të luaj tani dhe çfarë duhet lënë për në të ardhmen. Nuk është më koha e dekoreve, e telajove etj., që të gënjejmë vetveten sikur demonstrojmë një mur apo diçka tjetër. Kam vënë re që elektronika po përdoret jashtë mase në interpretimin e aktorit, truku, plastika e tij. Tashmë aktori është bërë “njësh” me spektatorin. Ai i imponohet nëpërmjet psikikës. Luhet shumë tetari filozofik, mendimi, pauza. Ka efekte dritash, të cilat fatkeqësisht nuk mund t’i kemi në sallat tona, e për të më tepër një mendësi regjisoriale krejt tjetër që këtu ka mbetur ajo e para viteve ’90.

Çfarë e bënte shfaqjen tuaj të kryesonte mes shumë të tjerash në këtë festival?

Fillimisht mendoj se ka ndikuar vetë vepra antike. Në këtë periudhë muzika dhe fjala ka qenë unike. Dhe në këtë shfaqje, muzika dhe fjala flisnin të dyja njëkohësisht. Pra, ne jemi dy profesionist, si unë ashtu edhe pianisti që delegojmë me njëri-tjetrin. Unë nëpërmjet fjalës, kurse Genti Rushi me anë të tingujve. Kjo është mrekullia. Madje mund të them se pasi shfaqja ka mbaruar, publiku e ka vlerësuar aq shumë sa që pianisti Rushi është ndjerë i detyruar që të japë edhe 30 minuta koncert më pas. Kështu, çmimi u bë i padiskutueshëm nga vetë spektatori atë natë.

Regjia dhe interpretimi në rolin e aktorit erdhi nga i njëjti person, pikërisht nga ju. Çdo aktor udhëzohet nga regjisori, ndërsa ju në këtë rast kishit një tjetër luks, gjithçka ishte e juaja. Ishte më e lehtë, apo më e vështirë të jesh në këto dy pozicione kyçe në një shfaqje teatrale?

Edhe po të isha udhëhequr nga regjia e dikujt tjetër nëse nuk do të më pëlqente do ta kundërshtoja, dhe vetëm nëse do më bindte do ta bëja. Nga ana tjetër, edhe unë e kam kundërshtuar veten në shumë gjëra. Prandaj edhe shfaqja ka ardhur, duke u zhvilluar deri në marrjen e këtij çmimi ndërkombëtar. Nëse në shfaqjet e tjera përballë kisha një regjisor që më udhëhiqte, unë pranoja vetëm spektatorin që të më kundërshtonte. Kërkoja tek vetja gjuhë të tjera teatrore për të dalë sa më mirë. Pozicioni im në këtë shfaqje është shumë i vështirë, pasi në konceptin e një monodrame zakonisht vetë aktorët janë regjisorët e vetvetes. Ndërsa në shfaqjet e mëdha është absurde që të bësh të njëjtën gjë.

Cila është gjetja juaj regjisoriale në këtë shfaqje?

Kjo është një pjesë që nuk është vënë asnjëherë në skenën shqiptare. As diku tjetër nuk e kam parë. Thjesht doja të provoja veten. Kanë qenë momente që shpeshherë aktorët shqiptarë mbeteshin pa punë dhe nuk kishin më një karrierë siç e kishin më parë për shkak të tenderëve që bëhen. Në këtë moment aktori filloi të kërkojë nga vetja. Unë personalisht nuk jam nisur që të bëja një shfaqje të madhe, por një shfaqje që të ishte e imja, përballja ime. Nuk jam regjisor, por thjesht aktor. Ajo që bëmë u vlerësua, aq më tepër një shfaqje e realizuar nga një aktor. E dua shumë këtë shfaqje.

Çfarë u lidh kaq shumë me këtë vepër?

Thjesht e dua shumë këtë pjesë. Nëse je artist, duhet me patjetër që të flasësh gjuhën e artit. Nuk mundesh kurrsesi me gjithë të tjerat. Duhet të bësh artin tënd dhe në mënyrë sa më profesionale. Është dashuria për artin. Kjo është një pjesë që të jep vërtet adrenalinë. Madje me Gentin kemi menduar të luajmë gjithë jetën. E duam kaq shumë saqë kur lodhem unë, është Genti ai që kërkon ta vazhdojë.

Box

Cinizmi i pasanikëve, vdekja e talentit

Legjenda e pianistit është një vepër, e cila paraqet periudhën e egër mes dy luftërave botërore (viti 1930) kur një anije transoqeanike me emrin “Virxhinia” bënte rrugën midis Evropës dhe Amerikës. Anija luksoze transportonte miliarderë dhe emigrantë, që shkonin në botën e ëndrrave. Por brenda kësaj anije njerëzit pëshpëritnin së bashku edhe me një pianist të jashtëzakonshëm, i aftë për të prodhuar muzikë të mrekullueshme, të padëgjuar kurrë më parë. Forca e kësaj vepre qëndron në faktin se ajo arrin të japë egoizmin e shfrenuar njerëzor, që mbyt edhe talentin lindur në një anije. Monodrama jep cinizmin e botës dhe të miliarderëve kokëbosh duke u përballur me talentin e varfër. Në këtë kuptim, në mënyrë krejt të pastër, “Legjenda e pianistit”, është një ndër veprat më të mira të autorit italian, Alesandro Bariko dhe një ndër më interesantet e viteve të fundit

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›