Lufta ndaj drogës, policia e Tiranës nis edukimin e të rinjve
Të rinjtë janë përdoruesit më të mëdhenj të drogave të lehta dhe të forta në Shqipëri. Për të luftuar këtë fenomen, policia e Tiranës ka vendosur që të nisë zbatimin e një plani masash, që do të ndihmojë në goditjen dhe parandalimin e tij. Sipas të dhënave, mosha mesatare e përdoruesve të drogave është 18-24 vjeç, por nuk përjashtohen rastet e moshave 13-14 vjeç si përdorues të tyre. Grupet më të prekshëm konsiderohen të rinjtë nën 34 vjeç, kryesisht të papunë, por dhe nxënës 14-17 vjeç, që më së shumti nuk shkojnë në shkollë. Përgjithësisht, nga informacionet e marra nga policia, vendet e konsideruara si më problematike dhe ku është përqendruar vëmendja janë gjimnazet e kryeqytetit si dhe qendra, si vendet më të frekuentuara. Drejtuesit e policisë në kryeqytet kanë menduar se sensibilizimi, si dhe njohja e adoleshentëve me këtë rrezik, do të ndikojë tek ata për të shmangur këtë fenomen negativ, si dhe do të japë rezultat në luftën ndaj përdorimit të drogave të lehta dhe të forta. “Policia e Tiranës ka menduar që të sensibilizojë të rinjtë, në lidhje me rrezikun që vjen nga përdorimi i drogave. Kështu është menduar që të zhvillohen një varg takimesh midis të rinjve, dhe një grupi specialistësh nga policia e Tiranës. Ata do t’u paraqesin të rinjve efektet negative që sjell përdorimi i drogës”, - u shpreh për “standard” zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini.
Gjithashtu vihet re se është i lartë numri i adoleshentëve që përdoren për të shitur lëndët narkotike. “Ne do të paraqesim gjatë takimit me gjimnazistët edhe dënimet që parashikohen nga ligji për ata që kapen me substanca narkotike. Informimi do të bëhet edhe nëpërmjet fletëpalosjeve që do të shpërndahen”, - vazhdoi ajo. Ndërkohë që vëmendje do t’iu kushtohet edhe zonave problematike. “Në vendet në kryeqytet, të cilat paraqiten si më problematike, ne kemi menduar që të rrisim numrin e agjentëve, të cilët do të merren me zgjidhjen e këtij problemi”, - shtoi zëdhënësja për shtyp e policisë së Tiranës. Por një masë tjetër që do të ndërmerret do të jetë edhe “intensifikimi i kontrolleve në fshatrat përreth Tiranës, për të goditur ata persona, të cilët merren me kultivimin e lëndëve narkotike”. Sipas të dhënave, numri i përdoruesve të drogave të lehta dhe të forta në Tiranë është rreth 12 mijë. Substancat psikoaktive që përdoren më shumë janë prodhimet e kanabisit rreth 65 %, përdoruesit e opiateve, kryesisht të heroinës, janë 20-25% (një pjesë e konsiderueshme e të cilave intravenoze, duke përbërë një kërcënim potencial për sëmundje të transmetueshme), si dhe rreth 10% janë përdorues të kokainës.
Aktivitetet
Para dy ditësh në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë u zhvillua një takim mes drejtuesve të policisë si dhe përfaqësues të pushtetit vendor, me pjesëmarrjen e Prefektit të Tiranës, Ruzhdi Keçi. Në fokus të takimit, ishin “Parandalimi, organizimi i punës dhe kryerja e operacioneve policore për identifikimin, asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të kultivimit”. Në aktivitetet parandaluese do të përfshihet njohja dhe vendosja e pikave të bashkëpunimit mes policisë dhe organeve të pushtetit vendor, të angazhuar në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, si dhe aktivitete të ndryshme sensibilizuese për publikun. Në aktivitetet operacionale janë parashikuar masat për organizimin e operacioneve policore për parandalimin, identifikimin e asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike, si dhe kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të tyre. Ndërsa, në aktivitete të tjera janë përcaktuar masa, ku ndër të tjera mund të përmendim planifikim të detyrave shtesë në kuadër të planit të veprimit dhe planit të masave, për ndëshkim të rreptë disiplinor dhe deri në ndjekje penale për personat përgjegjës për moszbatim dhe mosmarrje detyrimesh në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Harta e shpërndarjes së drogës
Policia ka krijuar edhe hartën e shpërndarjes së drogës në kryeqytet, ku janë përcaktuar edhe zonat më problematike. Kështu, në hartën e drogës, pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme, vazhdojnë të jenë të rrethuara me të kuqe zona e Shkollës së Bashkuar, Alliasi, Selita, Kombinati, Lapraka, lagjja “Ali Demi”, gjimnazi “Partizani”, si dhe ish-Blloku. Ditën e shtunë, agjentët e Antidrogës në kryeqytet ndërmorën një aksion, ku vunë në pranga dy të rinj, të cilët merreshin me shpërndarjen e drogës pranë gjimnazit “Partizani”. Dy të ndaluarve iu kapën 610 gramë heroinë. Ata furnizonin me drogë shpërndarësit, të cilët më pas ua shisnin atë gjimnazistëve. Për policinë, shpërndarja e drogës pranë shkollave 9-vjeçare e të mesme si dhe në vendet e frekuentuara nga të rinjtë, është shndërruar në një problem shqetësues dhe tani është gati një plan operacional masash, për të bërë të mundur zhdukjen e këtij fenomeni.
Katër aksidente në Tiranë nga shpejtësia
Katër aksidente si pasojë e shpejtësisë ndodhën në Tiranë ditën e djeshme. Sipas policisë, ato kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Aksidenti më i rëndë ka ndodhur në qendër të kryeqytetit, kur dy automjete, një fuoristradë tip “Kia” me targa të Tiranës u përplas me një “Mercedes” me targa të Beratit, por fatmirësisht ngjarja nuk ka pasuar me viktima. Përplasja ka qenë tepër e fortë duke kthyer përmbys fuoristradën. Sipas hetimeve paraprake, ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara me të cilën po udhëtonin mjetet, që ka shkaktuar aksidentet. Ndërkohë që edhe në tre aksidentet e tjera, përveç dëmeve materiale, nuk ka pasur dëme në njerëz.