Ekskluzive/ “Autobiografia” ; Ngritja e flamurit në Korçë pas luftës me “batalionin e shenjtë”
“Autobiografinë” e profesor Sotir Papahristo gazeta “standard” e boton për herë të parë, të plotë, dhe që është krejt e panjohur për publikun. Papahristo është njeriu, që ka përjetuar kohën dhe botën e tij të brendshme shpirtërore me të gjitha ndjesitë që i ka sjellë jeta - dashurinë për gruan, të cilësuar të rrallë nga vetë ai, dhembshurinë dhe ngazëllimin për fëmijët; përgjegjshmërinë dhe dëshminë e qytetarit për atmosferën e kohës ku jetoi - prej vitit 1882-1968. Duke siguruar të drejtat e trashëguara nga familja e tij, ky botim i panjohur vjen nga rasti i përkthimit të veprës monumentale të Tuqididit “Lufta e Peloponezit”, që përkthyesi e kishte lënë amanet në të gjallë që të botohej i plotë
Sotir Papahristo
Në krye të andartëve që ishin më të shumtë nga Kreta ishte kapiteni grek Tsontos Vardhas, i njohur si komandant i çetave greke në Maqedoni, në kohën kur luftonin me komitetet bullgare. U bënë plaçkitje dhe grabitje në qytet, por më tepër në katundet e rrethit të banuara prej myslimanëve. U themelua një lloj administrate me tërë degët (gjykatore, financë etj.), atyre që i qaheshin Vardhës (kryetarit të ashtuquajturës qeveri). “Është e pamundur të evitohen krejt turbullimet si brenda, si jashtë qytetit, se s’kemi ushtri të rregullt, por vullnetarë të padisiplinuar. Megjithatë, do të mundoheni t’i kufizojmë sa është e mundur më shumë”. Kjo qeveri mbajti që nga korriku deri në fund të shtatorit. Ngjarjet e kësaj kohe s’jam në gjendje t’i përshkruaj, se që ditët e para mora nënën dhe ika në Selanik, ku qëndrova deri në ditët kur erdhi ushtria greke e rregullt dhe okupoi Korçën dhe Epirin e Veriut me urdhër të qeverive të mëdha. Pasi në kohën e andarteve ndodhin siç thamë, paudhësira në tërë Epirin e Veriut dhe mbanë, fuqitë e mëdha të ngatërruara në luftën e madhe që plasi më 1914 (korrik) s’kishin kohë të merreshin me rregullimin e çështjes së Shqipërisë, i dhanë urdhër Greqisë, (ish-anëtar, kryeministër Venizellos) të pushtojë krahinat në fjalë gjersa të mbarojë lufta. Vardhasi ia dorëzoi qytetin gjeneralit Kondulis dhe u largua nga Korça. Populli e përcolli gjer jashtë qytetit, fjalime u mbajtën, u shfaqën mirënjohje qytetit, se e çliroi nga zgjedha shqiptare. Në përgjigjen që dha Vardhas, tha edhe këtë: “Disa na kritikojnë se janë bërë paudhësi dhe administrata ka çaluar. Por, ne këtu nuk erdhëm të themelojmë model shteti dhe qeverie, por vetëm e vetëm ta shpëtojmë vendin nga thonjtë e shqiptarëve”.
Menjëherë pas okupimit ushtarak u ngritën zyrat qeveritare në bazë të statusit të Greqisë. Gjykatoret, financat e zyrat e tjera zunë të funksionojnë me nëpunës të ardhur nga Greqia. Kjo mungesë politike nga ana e Greqisë hidhëroi tepër jo vetëm shqiptarofilët, por edhe shumë grekofilët, të cilët shihnin se në tërë pozitën me disa përjashtime emëroheshin persona të ardhur nga Greqia. Sundimi grek vazhdoi deri në fund të viti 1915, kur francezët okupuan ushtarakisht Korçën për arsye strategjike. Administrata vazhdoi gjithnjë greke. Francezët për ta larguar Greqinë nga Gjermania, mbreti Kostandin ishte gjermanofil, administratën ua lanë grekëve. Kjo gjendje vazhdoi gjer në dhjetor të vitit 1916. Në të këto çetat shqiptare që punonin asokohe me austro-gjermanët, të cilët kishin pushtuar pjesën veriore të Shqipërisë dhe kishin arritur deri në Maliq të Korçës me Themistokli Gërmenjin, në krye erdhën në marrëveshje me komandën frënge të Korçës që i premtuan çdo ndihmë me kusht që të largonin grekët nga Korça, të mbyllnin shkollat greke, të çelnin shkollat shqipe të ngrihej flamuri shqiptar. Më 10 dhjetor u nënshkruar protokolli relativ prej komandantit frëng, kolonel Dekuan nga ana e Francës dhe prej Themistokli Gërmenjin nga ana e shqiptarëve. Po atë ditë, u ngrit flamuri shqiptar dhe që të nesërmen (grekët ishin larguar me urdhër të francezëve), zuri të funksionojë administrata shqiptare me disa organizatorë francez. Shkollat greke u çelën dhe u mbyllën shkollat shqipe fillore dhe në vjeshtë të vitit 1917 u çel Liceu i Korçës, shkolla e mesme franko-shqiptare. Po në vitin 1918, politika frënge ndërroi duke iu bindur Venizellosit që luftonte përkrah ushtrive aleate në Maqedoninë, përveç që ekzekutoi në bazë shpifjesh Themistokli Gërmenjin në Selanik, por edhe për shkollat greke dha urdhër të çelen. Këto vazhduan gjer në vitin 1921 kur u mbyllën definitivisht, se Korça u njoh pjesë e Shqipërisë. Në këtë kohë Shqipëria e tërë ishte e okupuar prej ushtrive të huaja. Austro-gjermanët pushtuan deri në Berat dhe Pogradec. Italianët Gjirokastrën, Vlorën deri në Leskovik dhe francezët territorin e Korçës që u bashkuan me Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë.