E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për Gjykatë

Behgjet Pacolli nuk dëshiron të flasë për dorëheqje nga posti i Presidentit, por thotë se është i gatshëm të ballafaqohet me Gjykatën Kushtetuese. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi pohoi se vetëm gjykata më e lartë në vend është kompetente për të verifikuar se si u zgjodh Presidenti. Nga Shpend Limoni më 26 shkurt 2011 në ora 09:43

Behgjet Pacolli për herë të parë të premten ka pyetur gazetarët nëse kanë pyetje. Që nga dita kur u votua në Kuvendin e Kosovës për të, ai i ka ikur ballafaqimit me mediat.
Për ta bërë këtë, i kanë ndihmuar mjaft edhe këshilltarët e tij, të cilët nuk hezitojnë t’i ndërhyjnë shefit të tyre gjatë prononcimeve për gazetarë.

Dëshirën për të marrë më shumë pyetje, Pacolli e ka shfaqur vetëm kur është pyetur nëse ka menduar për të dhënë dorëheqje.

“A ka ndonjë pyetje tjetër?”, ka thënë ai pas takimit me Ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Por ka pranuar të përgjigjet kur është pyetur nëse është i gatshëm të ballafaqohet me Gjykatën Kushtetuese, së cilës ka gjasa t’i drejtohen deputetët e partive opozitare, për të verifikuar mënyrën e zgjedhjes së njeriut të parë të vendit.
“Unë për respekt po ju përgjigjem edhe në këtë pyetje. Nëse kërkohet nga unë, sigurisht se po, do të jem i hapur”, ka thënë ai.

Zgjedhja e Pacollit në postin e Presidentit të Kosovës po kontestohet vazhdimisht nga opozita dhe një pjesë e shoqërisë civile.

Por, pezmin më të madh për zgjedhjen e tij e ka shfaqur Jakup Krasniqi, njeriu që ka udhëhequr seancën e së martës së kaluar, kur u votua për institucionet.

Krasniqi ka thënë se për Pacollin kanë votuar vetëm 54 deputetë, ndërsa votat që u shtuan në raundin e dytë dhe të tretë i ka quajtur vota të presionit.

Qëndrimeve të Krasniqit u është përgjigjur për herë të parë edhe Pacolli, i cili ka thënë se për të kanë votuar mbi 90 për qind e deputetëve që kanë qenë në sallë.
“Unë jam zgjedhur me 90 për qind të deputetëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Një dilemë tjetër që është ngritur rreth zgjedhjes së Pacollit është edhe mungesa e kuorumit në Parlament, pasi partitë opozitare kishin braktisur sallën. Për zgjedhjen e Presidentit duhen 81 vota të deputetëve, e nëse kjo nuk arrihet, në raundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë prej 61 votash. Sido që të jetë, kur votimi për Pacollin President kishte nisur, në sallë nuk ndodheshin as 70 deputetë.
Por, Pacolli nuk mendon shumë për këtë.

“Unë përfaqësoj dhe do të përfaqësoj unitetin e qytetarëve të Kosovës. Unë kam kaluar me mbi 90 për qind të votave të deputetëve që ishin në sallë”.
Pacolli të enjten kishte takuar Jakup Krasniqin gjatë pranim-dorëzimit të detyrës në Zyrën e Presidentit.

Krasniqi nuk kishte ngritur zërin para Pacollit, por ka shpërthyer gjatë një paraqitjeje televizive, ku sërish ka kontestuar zgjedhjen e Presidentit.
Kryeparlamentari është bërë pak nervoz kur është pyetur nëse po i ndryshon shpesh qëndrimet.

“Mendoj se duhet ta bëni një dallim mes dorëzimit të detyrës zyrtare dhe qëndrimit tim politik. Konsideroj dhe kërkoj nga ju që t’i bëni këto dallime. Unë kam pasur obligim nga detyra që kam pasur dhe nga përzgjedhjet që ka bërë Kuvendi i Kosovës t’ia dorëzoj detyrën dhe ia kam dorëzuar detyrën. Qëndrimi im politik se si është zgjedhur është i natyrës tjetër”, ka thënë ai.

Sido që të jetë, Krasniqi ia ka dorëzuar Pacollit detyrën e Presidentit, për të cilin mendon se është zgjedhur me vetëm 54 vota. “Unë kam pasur obligim kushtetues ta dorëzoj detyrën”, ka thënë ai.

Krasniqi ka folur edhe për çështjen e kuorumit në Kuvend, duke thënë se vetëm Gjykata Kushtetuese është institucioni adekuat për ta thënë fjalën rreth zgjedhjes së Pacollit.
“Ne e kemi përmbyllë si Kuvend një proces dhe s’mund ta korrigjojmë vetveten. Është e drejtë legjitime vetëm e Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar parregullsinë ose rregullsinë e asaj seance”.

Por, Krasniqi nuk ka sqaruar nëse ai do të nënshkruante për të dërguar çështjen e zgjedhjes së Presidentit në Gjykatë.

“Kushtetuta iu jep të drejtë 30 deputetëve, Presidentit të Kosovës të bëjë kërkesë ose ankim në Gjykatën Kushtetuese”, ka theksuar ai.

Pacolli për SMS’të

Behgjet Pacolli ka pranuar të përgjigjet edhe rreth çështjes së SMS’ve, në të cilën është i përfshirë edhe ambasadori i SHBA’së në Prishtinë, duke e karakterizuar atë si një çështje private.

“Është një çashtje private në mes meje dhe këshilltarit tim”, ka thënë ai.
Edhe pse afera e SMS’ve ishte pjesë e seancës në të cilën po zgjidheshin institucionet e vendit, Pacolli insiston në çështjen e privatësisë.

E, kur është pyetur rreth ndihmës që ka kërkuar këshilltari i tij, Essad Puskar, nga ambasadori amerikan në zgjedhjen e Presidentit, Pacolli ka komentuar ndryshe.
“Për atë ekzistojnë edhe këshilltarët”, ka thënë ai.

Vlerësojnë ekspertët

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë të premten se ekspertët e kësaj partie janë ata që do të japin vlerësime rreth shkeljes së Kushtetutës me rastin e zgjedhjes së Pacollit.

“Shkelja e procedurave ka ekzistuar dhe ne ia kemi lënë grupit të ekspertëve që ata e interpretojnë a ka pasur apo jo shkelje të procedurës. Ne nuk thirremi në emra, ne flasim për shkelje të procedurës. Edhe vetë kryeparlamentari e ka thënë këtë dhe nuk është ai gjithkush që e ka vlerësuar kështu”, ka thënë ai.

Edhe zyrtarë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, sa më shpejt që të jetë e mundshme, për mënyrën e votimit të presidentit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›