E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lehtësimi i virusit A/H1N1 mund të rezultojë në viruse të reja

Zbutja e valës pandemike të virusit A/H1N1 mund të pasohet nga forma të reja të panjohura virusi të gripit sezonal që autoritetet shëndetësore duhet t'i mbikëqyrin me kujdes për të rekomanduar masat parandaluese dhe mbrojtëse, deklaruan sot ekspertët Evropianë të gripit.
Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC), paralajmëroi se viruset e gripit nuk mbeten pasive asnjëherë dhe shtoi se qeveritë e vendeve nuk duhet t'i lënë pas dore programet e vaksinimit kundër virusit të gripit A/H1N1, por, të rrinë vigjilentë për mutacione të mundshme të virusit dhe krijimit të llojeve të reja të tij.
"Historia njerëzore ka treguar se menjëherë pas një pandemie, bota përballet me një seri të re virusesh dhe kombinimin e tyre", shkruante eksperti i virologjisë në ECDC, Angus Nicoll në revistën shkencore ''Eurosurveillance''.
Gjatë një interviste në linjë telefonike, Nicoll deklaroi se megjithëse ka shenja për rënien e qarkullimit të virusit A/H1N1 nga shumë pjesë të Evropës dhe SHBA-së, është ende shumë herët për të deklaruar se pandemia ka përfunduar.
Ai shtoi se virusi që shkaktoi pandeminë e fundit në vitet 1968-'70 u bë më lehtësisht i transmetuar mes sezonit të parë dhe të dytë dimëror, rrjedhimisht pati shumë më tepër raste të infektuara dhe të vdekur përgjatë sezonit të dytë dimëror në vitet 1969-'70 në të paktën tre vende evropiane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›