E Diel, 1 Nëntor 2026

BE për Ballkanin, Ashton: Duhet bërë më shumë për integrimin

Shefja e re e politikës së jashtme europiane, Catherine Ashton ka deklaruar se Bashkimi Europian duhet t'i kushtojë vëmendje integrimit europian të Ballkanit Perëndimor. Sa i përket Kosovës, ajo ka vlerësuar se, "EULEX-i është duke vepruar mirë dhe se do të vije deri të përparimi në dosjen e Kosovës". Duke folur të hënën përpara deputetëve të Parlamentit Europian, Ashton ka thënë se në Ballkanin Perëndimor duhet nxitur reforma të mirëfillta politike, dhe se duhet siguruar që i gjithë rajoni të futet suksesshëm në rrugën e integrimit të mundshëm në Bashkimin Europian. Duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve të Parlamentit Europian, Ashton ka vlerësuar hapat pozitivë për liberalizimin e vizave me Serbinë, Malin e Zi dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ndërsa ka theksuar se nevojitet një strategji efektive për të tejkaluar ngërçin politik në Bosnjë Hercegovinë. Në pyetjen e deputetes gjermane Doris Pack, nëse ajo do të punojë që të gjitha vendet anëtare të BE-së të njohin pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të arrihet një veprim unik i Bashkimit Evropian - Ashton ka thënë se - "nëse disa shtete të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, atëherë ato kanë arsye për një gjë të tillë" - dhe ka shtuar se, "ajo nuk do t'i përmendë ato arsye". Ndër të tjera Ashton ka vlerësuar se EULEX-i është duke e kryer punën siç duhet në Kosovë. Megjithatë, sipas shefes së Politikes së Jashtme europiane, "dosja e Kosovës" do të shënojë përparim. Gjatë paraqitjes të platformës së saj, Ashton ka vlerësuar se Unioni është në një pozitë ku duhet të marrë një rol më të fuqishëm dhe më të besueshëm në botë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›