E Diel, 1 Nëntor 2026

Ylli Kelmendi, me forcë në gjykatë për “Mirin e Xhikes”

10/05/2010 I fshihet drejtësisë për të dhënë dëshminë para shokut, do të shoqërohet me polici

TIRANË- Ylli Kelmendi shoku i ngushtë i Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes), do të sillet forcërisht në gjykatë. Këtë vendim e ka marrë trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Altin Abdiu. Për disa seanca radhazi, Kelmendi, i akuzuar dhe arrestuar disa herë për armëmbajtje pa leje është njoftuar të paraqitet për të dëshmuar në lidhje me ngjarjen e vitit 2003 në Lundër ku u vranë tre persona dhe u plagosën dy të tjerë, por nuk e ka bërë një gjë të tillë. Jo vetëm kaq, por dëshmitari në flet-thirrje nuk ka firmosur, duke iu fshehur drejtësisë. Këtë fakt e kanë pohuar në sallë oficerët e policisë, të cilët kanë bërë edhe njoftimin zyrtar. Të ndodhur në këto kushte, trupi gjykues në unanimitet vendosi shoqërimin e detyrueshëm të tij nga policia e komisariatit që e mbulon. Ylli Kelmendi ka qenë në tavolinë në momentin që janë qëlluar me automatik nga ambientet e jashtme të lokalit “Kartodrom 2000”. Bashkë me të ishte dhe shoku i tij i ngushtë Fatmir Rama, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme. Ndërsa gjatë marrjes në pyetje në procesin e parë, Kelmendi është shprehur se ka parë dy silueta të maskuara, të cilat kanë qëlluar në drejtim të tyre. Është fshehur dhe me pistoletën që mbante pa leje të organeve kompetente ka qëlluar mbi agresorët. Ai ka deklaruar se është i bindur që një prej tyre e ka plagosur. Këtë fakt e ka lidhur me njollat e gjakut që janë gjetur jashtë lokalit menjëherë pas sulmit. Gjithsesi, dëshmia e parë e dhënë nën vitin 2004, tashmë duhet të ripërsëritet për faktin se dosja është përmbysur dhe gjithçka ka filluar nga themeli. Kelmendi gjithashtu njihet si dëshmitari kryesor i këtij procesi, për disa arsye të tjera. Ai ka hedhur dritë edhe mbi marrëdhëniet që ka pasur i pandehuri lavdërim Tufa me Fatmir Ramën. Madje është shprehur se mes tyre nuk ka pasur kontradikta dhe se nuk e ka kuptuar asnjëherë arsyen përse Tufa mund të jetë i përfshirë në këtë ngjarje. Ka shumë hipoteza në këtë vrasje të trefishtë. Dihet se objektivi ka qenë Fatmir Rama. Në gjykatë ka dalë edhe një fakt tjetër që lidhet me vrasës me pagesë. Pra, dikush që qëndron prapa interesave që tashmë janë mbyllur ka qenë i interesuar për të eliminuar Fatmir Ramën, i njohur ndryshe si Miri i Xhikes. Vet Tufa i dënuar nga Krimet e Rënda një herë me burgim të përjetshëm dhe i rikthyer tek shkalla e parë e gjykatës së Tiranës dhoma penale, është shprehur se nuk ka pasur kontradikta me Ramën edhe pse kanë qenë nga i njëjti fshat. Kundër tij ka dalë një provë, e cila është kundërshtuar nga ana e avokatëve. ADN-ja e kryer në institutin e mjekësisë ligjore në Romë e ka nxjerrë 99% autorin e mundshëm. Megjithatë, gjithçka ka filluar nga e para dhe ai do të ripyetet sërish për ngjarjen dhe faktet që lidhen me të.

Tufa i dyshuari kryesor që kërkon lirinë

Është quajtur një nga personat, i cili ka përputhshmërinë më të madhe dalë nga analiza e ADN-së. Për të arritur deri këtu, ka shërbyer një kapuç i gjetur pas ngjarjes së 19 marsit 2003 në Lundër, pak metra nga lokali. Është vërtetuar hipoteza e dëshmitarit Kelmendi se personi që ka qëlluar është plagosur, pasi janë gjetur edhe disa tesha me gjak. Ndërkohë që kapuçi ka pasur pështymë dhe disa fije floku. Këto element janë ballafaquar me dy persona. Janë marrë dy mostra për të arritur tek Tufa. Tufës i është marrë një fije floku dhe kampion gjaku. Po kështu është bërë dhe me personin tjetër. Analiza ka treguar se Tufa ka përputhshmërinë më të madhe e marr në tërësi nga të gjithë elementët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›