E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lehtësojini zgjedhjet

Kryeministri Thaçi dhe Presidentja Jahjaga e kanë mohuar kategorikisht mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë. Por, gjatë takimeve që kishin me Sekretarin e Përgjithshme të OSBE’së, Lamberto Zannier, ata thanë se ky institucion ndërkombëtar mund të lehtësojë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare serbe.

Krerët e shtetit të Kosovës, Presidentja Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi i kanë kërkuar OSBE’së që të lehtësojë organizimin e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë, të planifikuara të mbahen gjatë majit të këtij viti.

Ish-shefi i UNMIK’ut, Lamberto Zannier, tash Sekretar i Përgjithshëm i OSBE’së, gjatë vizitës së tij në Kosovë, të martën, tha se ky institucion është duke e shqyrtuar kërkesën e Prishtinës.

Siç është thënë nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit që Kryeministri Thaçi kishte me Sekretarin Zannier, ata folën për gjetjen e modaliteteve adekuate për lehtësimin e procesit zgjedhor për qytetarët e Kosovës të komunitetit serb, në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Kryeministri Thaçi, në deklaratën e tij, tha se institucionet e Republikës së Kosovës do ta respektojnë në tërësi të drejtën e garantuar kushtetuese të qytetarëve të Kosovës me dyshtetësi, për të votuar në zgjedhjet parlamentare. Por fakti që Serbia nuk e ka njohur Kosovën, kërkon që këtë organizim ta bëjë një organizatë ndërkombëtare, në këtë rast OSBE’ja.

“Institucionet e Republikës së Kosovës do ta respektojnë në tërësi të drejtën e garantuar kushtetuese të qytetarëve të Kosovës me dyshtetësi, për të votuar në zgjedhjet parlamentare. Mirëpo, duke pasur parasysh faktin se Serbia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës dhe për rrjedhojë nuk ka ambasadë të sajën në Kosovë, atëherë është e domosdoshme që kjo e drejtë të realizohet përmes një organizate ndërkombëtare, konkretisht OSBE’së”, ka thënë Kryeministri Thaçi.

Por gjatë ditës së martë, Kryeministri Thaçi ka folur për tendencat e Serbisë për të organizuar zgjedhje lokale, duke thënë se një gjë të tillë Kosova nuk do ta tolerojë në asnjë mënyrë.

“Pretendimet e Serbisë për të organizuar zgjedhje lokale në Veri të Kosovës do të dështojnë. Qeveria e Kosovës do të përdorë të gjithë forcën kushtetuese dhe ligjore për të penguar mbajtjen e tyre”, ka thënë ai.

Ish-shefin e UNMIK, Lamberto Zaniher, e ka pritur edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Republikës së Kosovës e njohin standardin ndërkombëtar përmes të cilit qytetarët me shtetësi të dyfishtë gëzojnë të drejtën e votimit në zgjedhjet e përgjithshme. Por ajo ka mohuar lejimin e organizimit të zgjedhjeve lokale serbe.

“Zgjedhjet lokale të Republikës së Serbisë nuk mund dhe nuk do të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës, sepse cenojnë integritetin territorial të vendit”, ka thënë Jahjaga.

Lamberto Zanier, i cili kishte shërbyer në Kosovë si Përfaqësues Special i Sekretarit Gjeneral të OKB’së në Kosovë, ka thënë se vlerëson kërkesën e bërë nga shteti i Kosovës dhe se OSBE’ja është duke e shqyrtuar seriozisht lehtësimin e organizimit të zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë.

Sipas Zannierit, OSBE’ja është duke bërë konsultimet e nevojshme dhe se një vendim rreth kësaj çështjeje mund të merret deri në javën tjetër.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›