Muamba lëshohet nga spitali

Futbollisti i Boltonit, Fabrice Muamba, është liruar të martën nga spitali i Londrës, një muaj pasi pësoi sulm kardiak, gjatë ndeshjes së Fa Cup të 17 marsit kundër Tottenhamit. “Kam dalë sot nga spitali dhe mezi pres ta kaloj periudhën e shërimit, duke e kaluar kohën me familjen time”, ishin fjalët e para të futbollistit 24 vjeç, me prejardhje kongoleze, por me pasaportë angleze.
Gjatë ndeshjes së Kupës së Anglisë, të zhvilluar në stadiumin White Hart Lane, zemra e Muambas ndali së rrahuri për 78 minuta, para se të rianimohej në spital. Disa prej mjekëve bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një mrekulli.
“Jam i lumtur që po e lë spitalin dhe dëshiroj at shfrytëzoj çdo mundësi për t’i falënderuar të gjithë punonjësit e London Chest Hospital, që më kanë kuruar. Dedikimi, profesionizmi dhe eksperienca e tyre, kanë qenë thjesht spektakolare dhe do të jem borxh ndaj tyre gjatë gjithë jetës. Më pas, dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që më kanë dërguar mesazhe mbështetjeje”, përfundoi mesfushori Muamba.