Lejet e ndërtimit, Kuvendi kthen mbrapsht projektligjin

Nuk ka gjetur konsensusin e deputetëve projektligji i miratuar nga qeveria, me propozim të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit. Bëhet fjalë “Për planifikimin e territorit”, projektligji që trajton rastet e ndërhyrjes së inspektoratit për prishjen e ndërtimeve pa leje. Debati i zhvilluar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese nuk gjeti miratimin e tri neneve kyç të projektligjit 1, 5 dhe 7. Kryetari i komisionit, Jemin Gjana, kërkoi nga drejtori i ministrisë që të rishikohen edhe një herë nenet, e më pas të hënën e ardhshme të diskutohet për miratimin e tyre.
Neni 1 në projektligj, që prek nenin 8 të ligjit bazë “Për planifikimin e territorit”, duke i shtuar germën “d”, thotë se, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) miraton kërkesat për zhvillim dhe lejet e ndërtimit në zona kombëtare, toka shtetërore dhe oborre të institucioneve publike arsimore të të gjithave niveleve, të zonave universitare, spitaleve dhe kopshteve e çerdheve.
Në nenin 5, që prek nenin 77 të ligjit bazë, të cilit i shtohet një paragraf, thuhet se lejet e ndërtimit në zona kombëtare, në tokat shtetërore, e në oborre të institucioneve publike arsimore të të gjitha niveleve të zonave universitare, spitaleve, të kopshteve e të çerdheve miratohet nga KKT-ja.
Kurse neni 7, në projektligj, shfuqizonte disa pika të nenit bazë, duke sjellë kundërshtimin e anëtarëve të komisionit. Megjithatë, komisioni e miratoi në parim projektligjin, ndërsa javën që vjen do ta diskutojë atë nen për nen.
Projektligji pritet të shkaktojë debate mes grupeve të interesit dhe institucioneve që kanë të bëjnë me zbatimin e tij. Të parët që do të reagojnë janë bashkitë, të cilave u janë vendosur disa kushte sa u takon planeve urbanistike dhe ndërtimeve pa leje. KKT-ja do ta ushtrojë përjashtimisht këtë përgjegjësi dhe në territore administrative të tjera, ku parashikohet zhvillimi i porteve të hapura ndërkombëtare, i centraleve energjetike, digave dhe dambave të larta, si dhe ndërtimeve të tjera me interesa strategjike për vendin. Në projektligj përcaktohet se bashkitë e kategorisë së parë janë: Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Fieri, Vlora, Saranda, Gjirokastra, Berati, Pogradeci, Korça, Lezha, Lushnja, Kukësi, Peshkopia, Laçi dhe Kavaja.
#