E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshje në fushë e telekomunikacionit

Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit i Kosovë (ART) dhe stafi drejtues i Agjencisë për Komunikime Elektronike dhe Postare (EKIP) nga Mali i Zi kanë nënshkruar të premten një memorandum mirëkuptimi në fushën e komunikimeve elektronike, i cili ka për qëllim shkëmbimin e informatave, rregullimin e radio-spektrit dhe koordinimin mes rregullatorëve të regjionit.

Ky memorandum mirëkuptimi u nënshkrua nga Ekrem Hoxha, kryetar i Bordit të ART-së, si dhe Zoran Sekuliq, drejtor ekzekutiv i EKIP-së.

Kryetari i Bordit të ART-së, Ekrem Hoxha, ka thënë se marrëveshja mundëson legalisht që ekipet e specializuara të rregullatorëve të minimizojnë dhe rregullojnë çështjet e interferencave ndërkufitare në kanalet e frekuencave.

“Qëllimi i Marrëveshjes është shkëmbimi i informacioneve me interes për dy rregullatorët në fushën e sektorit të telekomunikacionit, shkëmbimin e ekspertizës dhe rregullimit të radio-spektrit kufitar në mes të dy shteteve”, tha Hoxha.

Nga ana tjetër, Zoran Sekuliq, drejtor ekzekutiv i EKIP-së, theksoi se Mali i Zi dhe Kosova edhe në të kaluarën kanë pasur bashkëpunim të mirë.

“Pjese e këtij memorandumi janë edhe sektori i radiodifuzionit, pastaj shkëmbimi i përvojave, koordinimi mes rregullatorëve të regjionit dhe shumë të tjera”, tha ai.

Kjo është marrëveshja e dytë e nënshkruar nga ART-ja me shtetet e tjera, derisa e para ka qenë me Maqedoninë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›