E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e ndërtimit, ngrihet Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit

Këshilli i Ministrave, me anë të vendimit nr. 1190, ka përcaktuar mënyrën e organizmit dhe funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Kjo agjenci ngrihet 6 muaj pasi është miratuar ligji për planifikimin e territorit, i cili përcakton të gjitha kriteret e reja në menaxhimin e territorit. Në këtë vendim, janë përcaktuar edhe kompetencat dhe rolin e AKPT-së. Kjo agjenci e re do të jetë një ndihmëse e të gjithë këshillave të rregullimit të territorit në mbarë vendit. Duke u ndalur tek lejet e ndërtimit, ku ligji i ri përcakton afatet, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do të ketë rolin e një sekretariati pranë Këshillit Kombëtar të Territorit. Kjo agjenci do të vijojë zbatimin e ligjit të ri, i cili përcakton një procedurë krejt të re në dhënien e lejeve të ndërtimit, duke bërë të mundur monitorimin e çdo leje ndërtimi që jepet nga autoritet lokale. Në këtë vendim është parashikuar edhe ngritja e një regjistri të posaçëm, ku do të regjistrohet çdo aktivitet për territorin. Tashmë, njësitë vendore kanë detyrim të hartojnë planet rregulluese dhe lejet do të jepen vetëm në bazë të këtyre planeve, me parimin e heshtjes. Lejet e ndërtimit do të kenë një afat të përcaktuar për t’u dhënë, jo më shumë se 55 ditë. Agjencia Kombëtare e Planifikimit do të ndihmojë në çdo detaj autoritet lokale. Kompetencat e bashkive dhe komunave do të kenë të përfshirë udhëheqjen e territorit ku ato administrojnë në përputhje me kriteret kombëtare. Autoritetet vendore përcaktojnë kushtet e nevojshme, ushtrojnë kontrollet e nevojshme dhe marrin masat e domosdoshme për abuzimet, menaxhojnë tokën sipas planit, regjistrojnë çdo të dhënë të re që bëhet në territorin e tyre etj. Një tjetër risi është se në këtë proces përfshihen edhe të zgjedhurit e qarkut, të cilët monitorojnë punën e autoriteteve vendore. Ligji i ri parashikon një bashkërendim të ri mes agjencisë kombëtare dhe autoriteteve vendore, që nga këshillat e deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mundshme.
Rregulloret e reja të përdorimit do të përcaktojnë rregullimin e tokës që përcaktojnë kategoritë e lejuara brenda një territori, llojet e punimeve, intensitetin e punimeve, intensitetin e banimit, raportin e sipërfaqeve për kat, kufizimet e lartësive, shërbimet publike, shpërndarjen e kostos së ndikimit në infrastrukturë etj. Këshilli i Ministrave miraton këto rregullore. Rregulloret e ndërtimit përcaktojnë normat dhe kushtet teknike bazë të kushteve të projektimit, zbatimit të punimeve, përdorimit, mirëmbajtjes, prishjes, materialet, cilësinë e jetës, mbrojta e mjedisit etj. Autoritetet vendore ndjekin haps pas hapi të gjitha këto kushte. Një tjetër risi janë edhe afat e përcaktuara për çdo proces, që nga dëgjimi i personave të interesuar përpara autoriteteve e deri tek këshillat ligjore. Njëkohësisht, parashikohen edhe shumë sanksione konkrete, që nga gjobat financiare e deri në prishjen e objekteve. Risia qëndron në faktin se asnjë ndryshim nuk mund të bëhet tek ndërtimi, qoftë edhe një rikonstruksion të tij pa marrë më parë lejen.

Afatet në dhëniet e lejeve sipas ligjit të ri

Leja e ndërtimit

Lëshimi i lejes së ndërtimit kryhet vetëm pas shqyrtimit e verifikimit të përputhshmërisë së kërkesës me rregulloret e ndërtimit në fuqi ose me përcaktimet e lejes të zhvillimit. Çdo leje ndërtimi jepet në bazë të një kërkese të veçantë, e cila mund të kryhet, njëkohësisht me kërkesën për zhvillim, kur lejohet nga rregulloret e kontrollit të zhvillimit. Afatet minimale dhe maksimale për kryerjen e punimeve të ndryshme përcaktohen në rregulloret e kontrollit të zhvillimit. Leja e ndërtimit lëshohet sipas kërkesave të neneve 71 deri në 75 të këtij ligji, që do të thotë se nuk vonohet më shumë se 55 ditë.

Leja e infrastrukturës

Leja e infrastrukturës jepet për punimet në rrjetet e infrastrukturës publike, kombëtare ose vendore sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi dhe për strukturat që lidhen me funksionimin e tyre në fushën e transportit, të energjisë, administrimit të ujit, telekomunikacioneve, mbrojtjes së tokës, mbrojtjes e sigurisë publike e kombëtare.
Ajo miratohet nga ministri përgjegjës i linjës për infrastrukturën kombëtare dhe kryetari i bashkisë apo komunës për atë vendore sipas procedurës të parashikuar në pikën 4 të këtij neni në rastet kur infrastruktura publike është e parashikuar në një instrument të planifikimit në fuqi. Autoriteti përgjegjës mund të miratojë, sipas rrethanave e rëndësisë, projekte infrastrukture që zbërthejnë parashikimet e kriteret e instrumenteve të planifikimit në fuqi për aq sa është deleguar nga autoriteti miratues i tyre. Për këto punime, autoriteti përgjegjës sipas pikës 2 të këtij neni, pasi ka verifikuar përputhshmërinë e projektit me instrumentet e detyrueshme të planifikimit, të kontrollit të zhvillimit dhe rregulloret përkatëse të ndërtimit në fuqi, bën njoftim publik, përfshirë botimin në regjistër e sipas mjeteve tradicionale të informimit dhe pret pretendimet dhe vërejtjet e autoriteteve të tjera planifikuese ose të palëve të interesuara brenda afatit të përcaktuar në pikën 6 të nenit 73. Kur autoriteti përgjegjës e gjykon të nevojshme të kryejë një proces shqyrtimi e miratimi të projektit me dy faza për projekte të mëdha, afati, sipas fjalisë së mësipërme, është i zbatueshëm për secilën fazë veçmas. Me kalimin e këtij afati, autoriteti përgjegjës i planifikimit merr vendim për nisjen e punimeve dhe kryen njoftimin publik brenda 60 ditëve nga data e botimit. Njoftimi publik përmban të gjitha elementet dokumentuese të një kërkese për zhvillim dhe botohet në regjistër e sipas mjeteve tradicionale të informimit. Punimet fillojnë jo më parë se 60 ditë nga data e hyrjes në fuqi të vendimit.

Leja e përdorimit

Në fund të procesit të zhvillimit, autoriteti përgjegjës i planifikimit lëshon lejen e përdorimit të strukturës që konfirmon, sipas rastit, përfundimin e punimeve, në përputhje me kushtet e lejes së zhvillimit ose lejes së ndërtimit apo zbatimin e kritereve të instrumenteve të planifikimit dhe të kontrollit të zhvillimit, për rastet e punimeve, që kryhen me deklarim paraprak të punimeve. Leja e përdorimit lëshohet, kur aktet e kontrollit vërtetojnë realizimin e punimeve, në përputhje me kushtet e lejes, sipas fazave të përcaktuara në rregulloret e kontrollit të zhvillimit si, por jo vetëm, për themelin, karabinanë, punimet mekanike, hidraulike, të izolimit, rifiniturave dhe të sistemimeve të jashtme. Leja e përdorimit shqyrtohet e jepet sipas procedurës dhe afateve të përcaktuara në legjislacionin për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit. Në rastet kur nuk është marrë vendim brenda afateve të përcaktuara në pikën 4 të këtij neni, leja e përdorimit vlerësohet e miratuar në heshtje dhe lëshohet nga autoriteti përgjegjës i planifikimit, brenda 15 ditëve nga përfundimi i tyre, me kërkesë të të interesuarit dhe botohet në regjistër e sipas mjeteve tradicionale të informimit. Punimet e kryera në zbatim të këtij ligji, që ndryshojnë pronësinë, regjistrohen, sipas ligjit, në regjistrat e pasurive të paluajtshme, në bazë të lejes së përdorimit, të lëshuar sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›