Ruçi: Dialog, vetëm nëse hapen kutitë
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, flet edhe për marrëdhëniet me aleatët
TIRANË- Partia Socialiste e ka të qartë qëndrimin e saj lidhur me kërkesën e vazhdueshme të mazhorancës në drejtim të opozitës për të gjetur një gjuhë të përbashkët mirëkuptimi e dialogu.
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi deklaroi dje se nuk do të ketë dialog me mazhorancën, pa u hapur kutitë e votimit, një hap ky që do të çonte në transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Sipas Ruçit, opozita është e hapur për dialog, por ai duhet të fillojë nga hapja e kutive të votimit. "Jemi të hapur për dialog, por ai fillon nga hapja e kutive të votimit të zgjedhjeve të Qershorit 2009", - tha dje Ruçi.
Lidhur me zërat, që janë përhapur për një përçarje midis Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, kur në mitingjet e fundit të Partisë Socialiste nuk u ftuan të marrin pjesë disa eksponentë të partive të vogla të majta si dhe disa drejtues të partive opozitare të qendrës së djathtë, Ruçi vuri në dukje se Partia Socialiste nuk është përçarë me aleatët e saj tradicionalë.
Për më tepër, sipas tij, partia më e madhe opozitare ka vendosur edhe aleanca me ish- aleatët e dikurshëm të Kryeministrit Sali Berisha. Ndërsa shtoi se përveç këtyre aleatëve partiakë, Partia Socialiste në aksionin e saj politik për hapjen e kutive të votimit ka edhe mbështetjen e gjerë të shqiptarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
"Nuk ka kthim mbrapa. Partia Socialiste është e qartë në aksionin e saj politik. Partia Socialiste tashmë jo vetëm që ka aleatë tradicionalë të vet por ka edhe ish-aleatët e Sali Berishës, e mbi të gjitha Partia Socialiste sot ka një aleancë të gjerë që është populli shqiptar pavarësisht nga bindjet e tyre politike të majta, të djathta apo të qendrës", - u shpreh Ruçi.
Gjatë ditëve të këtij fundviti ka pasur një ulje të toneve politike midis mazhorancës dhe opozitës, kur është vënë re edhe ftesa e Kryeministrit Berisha pak kohë më parë në Parlament drejtuar opozitës që vitin e ardhshëm ajo të bëhet pjesë e Kuvendit. E njëjta ftesë u adresua edhe nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli si dhe zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm, Ilir Meta.
Të gjithë liderët e mazhorancës, veçanërisht Kryeministri Berisha, i kanë bërë thirrje opozitës për të qenë në Kuvend, duke iu premtuar se do të realizohet çdo kërkesë e spektrit opozitar, por pa pranuar kërkesën primare të saj, që është hapja e kutive të votimit, kërkesë për të cilën opozita ka bojkotuar Kuvendin, që nga zgjedhjet e parlamentare të 28 Qershorit 2009.
Raporti i publikuar për liritë dhe të drejtat e njeriut është një kambanë alarmi për qeverinë e Berishës
Lutaj: Raporti, Berisha shkeli Kushtetutën
TIRANË- Raporti i publikuar mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, ku për herë të parë kanë qenë të një mendimi 70 organizata joqeveritare, qendrore dhe lokale, për Partinë Socialiste, është një kambanë alarmi për veshët e qeverisë së Sali Berishës.
"Një prej çështjeve të renditura në këtë raport, është tragjedia e Gërdecit.
Dëshmitë e shumta të punëtorëve të fabrikës së korrupsionit qeveritar të cilat përcillen nga mediat ditë pas dite, por edhe në sallën e gjyqit, kanë forcuar bindjen e opinionit publik se në këtë aktivitet të licencuar nga qeveria e Sali Berishës, punonin të mitur, por edhe gra të pa trajnuara për rrezikshmërinë e lartë të kësaj fabrike demontimi.
Citoj nga raporti: 'Lejimi i ushtrimit të një veprimtarie të paligjshme, si pasojë e së cilës humbën jetën 26 qytetarë të pafajshëm'. Si një prej çështjeve kryesore është renditur dhe heshtja vrastare e strukturave shtetërore përgjegjëse për zbardhjen e motiveve dhe autorit të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi.
Partia Socialiste vazhdon të kërkojë me forcë zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ndërsa shteti i Sali Berishës hesht për vrasjen e një deputeti në prag të shtëpisë, dhe nuk harron të mburret në mënyrë qesharake për kapjen e disa hajdutësh dyqanesh", tha dje deputeti i PS-së, Piro Lutaj. Ai nënvizoi gjithashtu se liria e medias, është shqetësuese në Shqipëri.
"Zbritëm 8 shkallë poshtë renditjes së një viti më parë në raportin e Reporterëve pa Kufij, mirëpo Sali Berisha dhe oborri i tij nuk heqin dorë nga dhunimi i medias, me rrahje, gjoba selektive apo kërcënime direkte te botuesve e gazetarëve, që nuk janë në prehrin e pushtetit qeveritar",- tha ai. Lutaj citoi gjithashtu edhe problemet që parashtronte raporti lidhur me trajtimin e të shoqëruarve, arrestuarve dhe të dënuarve nëpër burgjet shqiptare.
"Kjo kambanë alarmi që bie fort për mungesën e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut tregon se në Shqipëri nuk respektohet mbi të gjitha Kushtetuta e këtij vendi dhe kjo bëhet nga qeveria me Sali Berishën në krye",- tha ai.