Krerët e komuniteteve fetare festojnë së bashku
Komiteti Shtetëror për Kultet organizoi dje një drekë me krerët e komuniteteve fetare në vend, një takim i fundvitit, i cili është bërë traditë nga ky komitet. Në këtë drekë morën pjesë krerët e komuniteteve fetare, përfaqësues nga trupi diplomatik, zyrtarë shqiptarë si dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në këtë takim që përcolli mesazhet e harmonisë mes komuniteteve fetare, morën pjesë kreu i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça, kreu i Kishës Katolike Imzot Rrok Mirdita, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse, Andon Merdani, kreu i Kryegjyshatës Bektashiane, Dede Reshat Bardhi, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Në këtë drekë festive me rastin e festave të fundvitit, kryetarja e Kuvendit vlerësoi këtë traditë të shkëlqyer dhe të rrallë që populli ynë e trashëgon prej shekujsh. “Ky ishte një vit i mbarë për të gjithë shqiptarët, - tha Kryetarja e Kuvendit. - Ishte një periudhë në të cilën Shqipëria mbylli një kapitull shumëshekullor të pasigurisë dhe hyri në periudhën e sigurisë. Vit që unë e konsideroj një nga vitet që, për nga ngjarjet që pati, do të hyjë në historinë e proceseve integruese të kombit tonë”, - tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit tha se viti që vjen, do të shënojë një ngjarje tjetër të madhe, do të jetë viti i lëvizjes së lirë dhe nuk ka gjë më të rëndësishme për këtë komb, i cili ndër shekuj ka qenë i izoluar. Duke falënderuar të gjithë krerët e komuniteteve fetare për punën, misionin dhe përkushtimin e tyre, ajo u uroi atyre shëndet, mbarësi e lumturi në jetë. E veçanta e drekës së këtij viti është se nëpërmjet saj, festohet edhe miratimi, për herë të parë, i ligjit për mbështetjen financiare të bashkësive fetare nga buxheti i shtetit.