E Diel, 1 Nëntor 2026

Pretenca, 15 vjet burg për babanë monstër, tutor i vajzave të tij

Prokuroria ka kërkuar 65 vjet burg në total për 5 persona të akuzuar për shfrytëzim dhe abuzim me dy vajza të mitura. Babai monstër shfrytëzoi vajzat 8 dhe 10 vjeçe për prostitucion

Korçë- 65 vjet burg ka kërkuar Prokuroria e Korçës gjatë pretencës së saj për babanë monstër dhe katër persona të tjerë që kanë abuzuar seksualisht, sipas saj, me dy minorenet 8 dhe 10-vjeçare. Në seancën e së enjtes në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë kanë dalë para togave të zeza babai që shfrytëzonte për prostitucion dy vajzat e tij të mitura, duke u gjetur klientë të rritur për të disa të holla që fitonte nga ky biznes makabër.

Zbulimi

Ngjarja u zbulua në muajin prill të këtij viti, kur policia e Korçës çoi në pranga babanë që shfrytëzonte vajzat e mitura për prostitucion, në këtë kohë 15 dhe 17 vjeçe. Në seancën e radhës Prokuroria e Korçës ka dhënë pretencën për të akuzuarit e skandalit të pedofilisë. Akuza ka kërkuar 15 vjet burg për shtetasin Pëllumb Mullaj, babai i 2 vajzave të shfrytëzuara, dhe po nga 15 vjet secilit nga klientët: Andrea Nameti, 69 vjeçar; dhe Skënder Korollarin. Ndërkaq, për dy klientët e tjerë të moshuar, Nevruz Kollani, 82 vjeç; dhe Ndoci Koci, 86 vjeç, prokuroria dha nga 10 vjet burg për secilin për shkak të moshës së tyre.

Akuza

Pëllumb Mullaj, 51 vjeç, banor i fshatit Mborje në rrethin e Korçës, u arrestua në muajin prill nëpërmjet një operacioni policor të koduar me emrin “Junior”. Ai akuzohet se ka shfrytëzuar dy vajzat e tij të mitura, që prej moshës 8 dhe 10-vjeçare, për ushtrim prostitucioni. Sipas policisë, babai i jepte vajzat te klientë në moshë të madhe, kundrejt një pagese. Shfrytëzimi kishte nisur pas divorcit me gruan e tij. Babai i dy vajzave minorene që denoncuan në polici se u shfrytëzuan për prostitucion në moshën 8 dhe 10-vjeçare, nuk e ka pranuar akuzën që rëndon ndaj tij. Pëllumb Mullai ka thënë për policinë se akuzat janë mashtrime dhe sajesa të të bijave edhe personat e tjerë të arrestuar për pedofili. Por sipas Prokurorisë së Korçës, ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë akuzat që rëndojnë jo vetëm ndaj babait monstër, por edhe ndaj katër klientëve.

Hetimi

Në pranga me të në prill ranë dhe 4 klientët që, sipas policisë, ata kryenin marrëdhënie seksuale me vajzat në mënyrë sistematike. Sipas të dhënave të para, babai kishte nisur shfrytëzimin e minoreneve që më 2004, kur vajzat kanë qenë përkatësisht në moshën 8 dhe 10 vjeç dhe ka vazhduar deri më 2006. Gjatë hetimit të çështjes ka rezultuar se babai i vajzave fatkeqe, Pëllumb Mullaj, u kishte siguruar "partnerë" dy vajzave të tij të mitura, të cilat paguheshin për një seancë seksi me shumën prej 2 000 lekësh. Policia lokale nëpërmjet metodave të saj ka mësuar për rastin e paprecedent të shfrytëzimit të të miturave, ndërsa ka reaguar menjëherë duke arrestuar plot 5 persona, mes të cilëve dhe babanë monstër të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë. Ndërsa të pandehurit që akuzohen për shfrytëzim prostitucioni me të mitura pritet të marrin vendimin nga Gjykata e Korçës më 28 dhjetor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›